Partia SocialDemokrate (PSD) ka hapur zyrë edhe në komunën e Suharekës, ka bërë të ditur kjo parti përmes një njoftimi për medie.
“Sot, Theranda ishte adresa e hapjes së zyrave të Partisë Socialdemokrate, që po shtrihet dhe zgjerohet gjithandej Kosovës. Në praninë e mbështetësve vendorë, nënkryetari Visar Ymeri, sekretarja e përgjithshme, Aida Dërguti dhe koordinatori për Therandë, Leonard Shala, theksuan rëndësinë që ka krijimi i infrastrukturës së nevojshme logjistike dhe strukturore, si mundësi për t’i përhapur sa më shumë politikat e reja zhvillimore dhe sociale të Partisë Socialdemokrate në tërë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Theranda është një nga komunat që ka paguar më së shumti koston e qeverisjeve të korruptuara në nivel qendror dhe lokal. Mungesa e ujit të pijes, ndriçimit dhe hapësirave publike; si dhe prerja e pyjeve dhe ndotja e mjedisit janë sot vetëm disa nga problemet e shumta të Therandës, të cilat dëshmojnë për nevojën e ushtrimit të politikave socialdemokrate. Për bashkëveprim në funksion të parandalimit të abuzimit të resurseve të përbashkëta ekonomike; si dhe për angazhim, mobilizim e organizim drejt përfshirjes së qytetarëve shumicë, të cilët janë përjashtuar dhe harruar nga pushtetet e kapura të pakicës”.