Sot u mbajt seanca e parë gjyqësore ndaj aktivistëve të PSD – së, Gëzon Kastrati e Korab Korça, dhe Çlirim Gërbeshit nga VV-ja.
Gjyqtari sot e ka mbyllur seancën për publikun.
Ndaj ketij vendimi ka reaguar Partia Socialdemokrate, e cila po vlereson se proceset e tilla kanë shumë nevojë për transparence sepse kështu kuptohen dhe evitohen arbitrariteti e shkeljet.
Ky është reagimi i PSD-së:
Në fakt, rasti daton nga koha e protestave kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit. Ne jemi të bindur se protestat kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit ishin të drejta.
Kualifikimi i veprës është në shpërputhje të plotë me mënyrën se si e ka trajtuar rastin Gjykata Themelore në Prishtinë. Ata po akuzohen për përgatitje të veprës terroriste, ndërkaq ka 3 vite ç’prej se është hapur ky rast dhe Gjykata nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Rrezikshmëria e tre “terroristëve” nuk e ka prishur rehatinë e gjyqtarëve për ta trajtuar këtë rast me prioritet.
VV në pushtet ka vendosur të mos flasë më për këto raste. Siç duket nga perspektiva e pushtetit shohin diçka tjetër. Sjellja karshi përpjekjeve është indikacion për mënyrën se si do t’i trajtosh kauzat e djeshme sot.
Duke e parë një proces të dobët dhe me shkelje të njëpasnjëshme, jemi të bindur se protesta do të fitojë, kurse aktivistët do të lirohen nga damka e rëndë etiketuese e kualifikimit të veprës.