Partia Socialdemokrate ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me frymën e Kushtetutës.
PSD përmes një njoftimi për media ka thënë se Qeveria Kurti është konfirmuar dy herë si shkelëse e Kushtetutës duke e renditur Kosovën në vendet që shfrytëzoi pandeminë për të uzurpuar jashtëligjshëm pushtetin e Kuvendit.
“Partia Socialdemokrate vlerëson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe Aktgjykimin e vitit 2014. Lidhja e mandatit të Kuvendit me mandatin e Qeverisë ia humb kuptimin kontrollit kushtetues e parlamentar që Kushtetuta ia njeh Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Aktgjykimi është në përputhje me frymën e Kushtetutës
Nga koha e fushatës, zgjedhjeve të 6 tetorit dhe veprimeve të mëpastajme të partnerëve të koalicionit shumë ujë ka ecur nën urë. Në fushatë thanë se dialogu nuk u bën përshtypje as nuk është çështje e tyre, megjithëse flisnin për reciprocitet. Pas zgjedhjeve u kuptua se reciprociteti veç strategjisë dalëse ishte krejt i pamenduar. Pastaj, për dialogun dhe nënpyetjet rreth tij ra qeveria. Ashtu e rënë, qeveria u konfirmua dy herë si shkelëse e Kushtetutës duke e renditur Kosovën në vendet që shfrytëzoi pandeminë për të uzurpuar jashtëligjshëm pushtetin e Kuvendit. Në anën tjetër, Kurti me secilin veprim dëshmoi se nuk është i interesuar për partneritet dhe bashkëpunim. Ai ishte përjashtues.
Prandaj, pas zhvillimeve politike që çuan deri tek mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, është argument i vlefshëm politik që lidhet me legjitimitetin kërkesa për zgjedhje të reja. Por, një kërkesë e tillë, për t’u shndërruar në vendim politik kërkon votën e deputetëve për ta shpërndarë Kuvendin.
Partia Socialdemokrate vlerëson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe Aktgjykimin e vitit 2014. Lidhja e mandatit të Kuvendit me mandatin e Qeverisë ia humb kuptimin kontrollit kushtetues e parlamentar që Kushtetuta ia njeh Kuvendit.
Jo rastësisht, për votim dhe rrëzim të Qeverisë kërkohen 61 vota, pra shumicë e thjeshtë, kurse shpërndarja e Kuvendit me 2/3 e gjithë deputetëve. Përveç ndryshimit të Kushtetutës që kërkon shumicën e dyfishtë, shumicë më të theksuar sesa kjo për shpërndarjen e Kuvendit Kushtetuta jonë nuk parasheh. Pikat 9 dhe 10 të Aktgjykimit e kanë sqaruar këtë.
Parashtruesit e kërkesës, madje kanë kërkuar vendosjen e një precedenti absurd dhe të rrezikshëm. Përmes kërkesës që Presidenti ta shpërndajë Kuvendin kanë kërkuar që vota e 2/3 të deputetëve që mund ta shpërndajë Kuvendin të zhvlerësohet në dekret presidencial, ose dekreti i Presidentit të vlejë sa 2/3 e deputetëve. Kjo është marrëzi. Gjykata Kushtetuese ka treguar se një përgjegjësi të tillë Presidenti nuk e ka as në sistemet presidenciale.
Aktgjykimi i publikuar dje e ka interpretuar edhe çështjen e afateve për mandatarin për formimin e Qeverisë. Mungesa e një afati shprehimor nuk e mvesh fituesin relativ me mundësi për bllokim të pafund të procesit, siç mungesa e një afati të tillë nuk i jep të drejtë Presidentit për mosdekretim.
Në fund, kjo Gjykatë Kushtetuese e ”kapur” është referenca kryesore tash sa kohë për Lëvizjen Vetëvendosje! Gjykata Kushtetuese e kishte të njëjtën përbërje që ka sot kur e nxori Aktgjykimin për dialogun. Për çudi, vetë Gjykata e “Thaçit” e ka favorizuar Qeverinë sepse i dha rol kryesor në dialog, duke e zhveshur kështu Presidentin në kompetencat për politikën e jashtme.