Albin Kurti ka shansin historik të hapë një epokë të re në kulturën e qeverisjes së shqiptarëve. Midis së tjerash, kjo do të duket edhe në mënyrën sesi do të sillet me presionin amerikan për heqjen tërësisht të taksës ndaj Serbisë nga ana e Kosovës.Këtë shkrim nuk e kam nisur thjesht nga çështja e heqjes apo jo, plotësisht apo pjesërisht, së taksës ndaj Serbisë. Më ka shtyrë ta shkruaj nevoja e reagimit ndaj mënyrës arrogante, me të cilën i ngarkuari nga Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ishambasadori në Gjermani, Grenell, kërcënoi qeverinë e sapokrijuar të Albin Kurtit. Më ka shtyrë edhe më tepër aversioni i akumuluar ndër vite ndaj politikanëve shqiptarë që e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre, duke u bërë shërbyes të bindur e hipokritë të të fuqishmëve, për të abuzuar pastaj në mënyrën më të keqe me popullin e tyre.
Albin Kurti ka shumë kundërshtarë në konfliktin që ka krijuar, por ata kryesorët nuk janë as amerikanët si Grenell, Pompeo apo Trump dhe as serbët si Vuçiç e Daçiç, por kategoria e shqiptarëve që përmenda dhe kultura dominante që ata kanë përçuar ndër shqiptarë. Janë sjelljet dhe qëndrimet e tyre, si në Kosovë edhe në Shqipëri, që kanë bërë që shqiptarët të mbeten infantilë, të mos zhvillojnë dot mendimin kritik dhe bashkë me të edhe personalitetin, dinjitetin dhe ndjenjën e lirisë të vetes dhe bashkësisë, së cilës i përkasin. Ideja se çdo kërkesë amerikane duhet zbatuar pa u vënë në diskutim, madje as në dyshim, e ka folenë në trutë e shqiptarëve dhe jo të amerikanëve. Edhe mënyra arrogante, me të cilën Grenell kërcënoi një qeveri të sapokrijuar, e ka burimin e parë tek infantiliteti i shqiptarëve.
Po hedh këtu disa teza se pse për t’u rritur duhet të çlirohemi nga disa paradigma që i bëjnë shqiptarët të sillen kështu ndaj SHBA.
Së pari: shqiptarët e Kosovës (por edhe të Shqipërisë) duhet të çlirohen nga paradigma, sipas së cilës pa amerikanët nuk do të kishim Kosovën, prandaj duhet t’u jemi përherë mirënjohës deri në nënshtrim. Për këtë le të kthehemi pak në origjinën e kësaj paradigme: bombardimet e NATO-s, e të shtrojmë pyetjen: pse bombarduan amerikanët për interesin tonë apo për interesin e tyre? Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane. Ndër opinionet më të përhapura është ai se nëpërmjet këtyre bombardimeve justifikohej ekzistenca e NATO-s edhe pas Luftës së Ftohtë, që sipas marrëveshjes (së pashkruar) me Gorbaçovin, do të shkrihej me shkrirjen e Traktatit të Varshavës, pasi kishte lindur pikërisht për t’iu kundërvënë këtij. Ndërkaq, intelektuali më i rëndësishëm amerikan, Naom Chomsky, duke cituar një burim tepër serioz, librin e zyrtarit të lartë të administratës amerikane, John Norris, “Collision Course – NATO, Rusia and Kosova” (Kursi i përplasjes, NATO, Rusia dhe Kosova) me parathënie të Strobe Talbot, nënsekretar i Departamentit të Shtetit për Europën Lindore, jep një tjetër version. Chomsky thotë se, sipas Norris, të cilin Strobe Tablod në parathënie e quan njeriu më i informuar mbi atë se si mendonte në atë kohë administrata e Clinton, bombardimet nuk u kryen për shqiptarët e Kosovës, por pasi Millosheviçi nuk po pranonte ende reformat ekonomiko-sociale që kërkonte Perëndimi për ta futur Serbinë në sferën e influencës së vet. Fakti që amerikanët nuk kanë ndërhyrë në mbështetje të popujve të tjerë që luftojnë për pavarësi dhe shtetin e tyre, siç është rasti i kurdëve, madje i kanë lënë ata edhe në baltë, siç ndodhi së fundi me vendimin e Trumpit, është një nga provat e shumta se amerikanët venë në radhë të parë interesat e tyre.
Pra, nëse do të pranojmë se amerikanët kanë bombarduar për interesat e tyre, konkluzioni i parë që duhet të nxjerrim është se, ndonëse në këtë rast përfituan edhe shqiptarët, për çka duhet t’u jemi mirënjohës, nuk ka pse ta shohim veten vetëm si mirënjohës kurse amerikanët t’i shohim vetëm si mirëbërës. Le të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës i paguan edhe me jetët e tyre interesat amerikane pasi në 10 000 shqiptarët e vrarë, 8000 janë pas bombardimeve, kurse amerikanët nuk kanë humbur asnjë ushtar.
Së dyti: duhet të çlirohemi nga paradigma se amerikanët mendojnë gjithnjë në interesin e shqiptarëve dhe se çdo veprim i tyre është në anën e frontit të së mirës kundër fronti të së keqes. Fakti që në 1999 u përputhën interesat e tyre me të shqiptarëve nuk është provë e mjaftueshme se sa herë që ata u kërkojnë ndonjë gjë shqiptarëve e bëjnë për interesin e të dyja palëve. Pa shkuar në shembuj të shumtë nëpër botë, po përmend një rast që e kemi provuar në Shqipëri: presioni i ambasadorit amerikan Arvizu për të sjellë armët kimike siriane në Shqipëri.
Së treti, shqiptarët vuajnë shumë nga paradigma se po iu kundërvure SHBA-ve, ata të rrëzojnë nga pushteti. Historia tregon se jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Venezuela është një nga rastet e fundit. Po ashtu, obligimet që kemi ndaj aleancës së NATO-s nuk duhen barazuar me thënien peqe-lepe çdo kërkese amerikane sepse nuk është kjo sjellja e aleatëve të tjerë shumë më të vjetër e shumë më të pjekur të SHBA-ve. Për të mos përmendur rastin e Turqisë, që mban qëndrime haptazi antiamerikane duke mbetur në aleancën e NATO-s.
Le të kthehemi tani në rastin konkret:
Në rastin e qeverisë “Kurti” nuk kemi të bëjmë me ndonjë qeveri që bën politika antiamerikane, përkundrazi. Atëherë si ta shpjegojmë kërcënimin arrogant të Grenell-it? Duke iu referuar sa thashë më sipër, së pari them se ngulmimin amerikan për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit Kosovë – Serbi duhet parë si interes amerikan. Së dyti, ai duhet vënë në peshoren e dyshimit nëse është në përputhje apo bie ndesh jo vetëm me interesat e shqiptarëve, por edhe të një zgjidhjeje afatgjatë e të qëndrueshme të konfliktit shqiptaroserb. Një zgjidhje e tillë e shpejtë, siç kërkon ta imponojnë njerëzit e Trumpit, do të ishte një ‘jozgjidhje’ me pasoja, siç ishte edhe ideja e ndryshimit të kufijve. Nuk dua të hyj në spekulime se cilat mund të jenë interesat amerikane në këtë rast, por nuk mund të rri pa ngritur dyshime, aq më tepër se deri dje ka pasur dyshime të forta se projekti i ndryshimit të kufijve, që u kundërshtua nga partnerët europianë, vinte nga SHBA. Aq më të mëdha bëhen këta dyshime duke pasur parasysh se shumë aksione të Trump-it janë vënë në diskutim, por edhe në akuzë nga demokratët dhe mediat amerikane. Aq më tepër po të kesh parasysh se njeriu i ngarkuar për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Grenell, është cilësuar nga “New York Times” si “i shquar” për ndërhyrje “jodiplomatike” edhe në Gjermani, ndërkohë që “Washington Post” ka ngritur dyshime serioze për mbështetje nga ana e tij, kundrejt pagesës, të autokratëve të korruptuar.
Por shqetësimin dhe dyshimin më të madh unë e ngre duke u nisur nga fakti se qeveria e Albin Kurtit është, ndoshta, shpresa e fundit që u ka mbetur shqiptarëve të Kosovës për t’u qeverisur nga njerëz që i shërbejnë popullit të tyre dhe jo që e nëpërkëmbin atë. Prandaj, nga amerikanët e mirë do të duhet të prisnim mbështetjen e kësaj qeverie për mbajtjen e premtimeve për çlirimin nga shteti i kapur, për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Kurse çka ra në sy në mënyrën më dramatike ishte fakti se i dërguari i Trump-it e injoroi krejtësisht këtë interes madhor shqiptar dhe u duk i gatshëm ta rrëzojë qeverinë “Kurti” vetëm pse nuk iu bind plotësisht një interesi të dyshimtë amerikan. (Panorama)