Pse do të paguhen ministrat dhe zv.ministrat e Ramush Haradinajt pas përfundimit të mandatit

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Një vendim që është marrë gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, i garanton paga edhe për një vit ministrave të Qeverisë Haradinaj dhe paga për gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit për dhjetëra ish – zëvendësministra. Ata do të përfitojnë falë pezullimit të Ligjit të Pagave, që nëse do të ishte në fuqi, qeverisë së dorëhequr nuk do t’i takonin më benefitet.Gazetaexpress

Shteti i bie t’i japë edhe qindra paga për Qeverinë e Ramush Haradinajt pas përfundimit të mandatit të saj. Njëzet ministrat do të paguhen një vit pas mandatit të tyre dhe mbi 80 zëvendësministra të Qeverisë Haradinaj do të marrin paga për gjashtë muaj të tjerë. 

Në Qeverinë e Kosovës tregojnë se benefitet për zyrtarët e lartë pas përfundimit të mandatit rregullohen akoma me vendimin e marrë në nëntor të 2015’s.

Ky vendim thotë se ministrat dhe zëvendësministrat vazhdojnë të marrin paga edhe pas përfundimit të detyrës, nëse nuk punësohen në institucione shtetërore.

Ligji i ri për pagat në sektorin publik, i cili është pezulluar deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, rregullon ndryshe përfitimet që do të kenë qeveritarët pas përfundimit të mandatit. Në fakt mund ta lënë funksionarët e Qeverisë Haradinaj krejtësisht pa benefite, pasi llogaritet se janë të dorëhequr.

Neni 30 parasheh që ministrat të marrin 70 për qind të pagës edhe një vit pas përfundimit të detyrës së tyre. Për zv.ministra parashihet që të paguhen me 70 për qind të pagave për 6 muaj.

Në këtë nen thuhet se “Zëvendëskryeministri, Ministri dhe Kryetari i Komunës, i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për një (1) vit në vlerë prej shtatëdhjetë (70%) të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin”.

“5. Funksionari publik: Zëvendësministri, i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për gjashtë (6) muaj në vlerë prej shtatëdhjetë për qind (70%) të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin”.

Sipas këtij ligji, nuk parashihen përfitime pas mandatit për funksionarët që kanë dhënë dorëheqje ose janë shkarkuar, apo .

“7. Përftimi i paraparë sipas këtij neni nuk paguhet nëse funksionari: 7.1. jep dorëheqje nga funksioni; 7.2. shkarkohet nga funksioni shkelje ligjore; 7.3. pas përfundimit të mandatit, ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Republikës së Kosovës; 7.4. me vendim të formës së prerë nga gjykata është shpallur fajtor për një vepër penale të kryer gjatë kohës së tij/saj në Institucionin ku ka bartur funksionin, ose gjatë periudhës së marrjes së përfitimit të paraparë me këtë nen”, thuhet në Ligjin për Paga të Sektorit Publik”,

Ministrat dhe zëvendësministrat aktualisht paguhen sipas vendimit të Qeverisë për rritje të pagave të vitit 2017, të cilin e kishte marrë Ramush Haradinaj.  Sipas këtij ligji një ministër ka pagë bruto 2000 euro, ndërsa një zëvendësministër e ka pagën 1150 euro.

Nëse llogariten me vendimet në fuqi, shtatëdhjetë përqindëshi i pagës së ministrit i bie të jetë 1400 euro, ndërsa 20 ministrat për 12 muajt ekstra do t’i kushtojnë shtetit 336,000.

Shtatëdhjetë përqindëshi i pagës së zv.ministrit është 805 euro, ndërsa nëse llogariten pagesat për 80 zv.ministra për gjashtë muaj, i bie që do të shpenzohen 386,400 euro. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme