Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se Kryeministri Avdullah Hoti e ka deleguar zëvendësen e tij nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, që të udhëheq me Qeverinë në këtë kohë.
“Sot (kryeministri) e ka autorizuar zv.kryeministren nga radhët e Nismës për ta udhëheq qeverinë në këto kushte të jashtëzakonshme, por bashkë do t’ia dalim”, ka thënë Krasniqi në Frontal.
Gazeta Express ka pyetur te Kabineti i Hotit, nëse arsyeja pse i janë deleguar detyrat zëvendësministres mund të jetë përkeqësimi i gjendjes së kryeministrit, por është mohuar një gjë e tillë.
Këshilltari për media i Kryeministrit, Xhavit Beqiri, ka thënë se gjendja e kryeministrit është e mirë.
Sipas tij, Hoti do ta vazhdojë punën nga shtëpia në bashkëpunim me zëvendëskryeministrat.
“Gjendja e kryeministrit është e mirë. Ai po vazhdon që ta koordinoj punën e Qeverisë nga shtëpia, por vendimet që merren duhet t’i nënshkruajë dikush dhe në mbledhjen e fundit i ka nënshkruar zëvendëskryeministrja, por që këto vendime mund t’i nënshkruajnë edhe zëvendëskryeministrat e tjerë. Përveç kollit, nuk ka ndonjë simptomë tjetër kryeministri. Ai është në izolim për dy javë dhe gjatë kësaj kohe do të koordinojë punën nga shtëpia”, ka thënë Beqiri.