Shumëkush mund të mendojë se kundërshtimi që po i bënë Albin Kurti, mundësisë së tërheqjes së një pjesë të mjeteve financiare të kursyera nga Trusti, ka të bëjë vetëm me faktin se ai është propozuar nga PDK-ja. Dhe siç është zakon te ne, çdo propozim që e mban vulën e kundërshtarit “duhet” të anatemohet. Ka të tjerë që mendojnë se ky refuzimi ka të bëjë vlerësimin e tij për dëmet financiare që do të prodhonte ky skenar.
Ndonëse këto motive mund të ndikojnë në qëndrimin Albin Kurtit për këtë temë, megjithatë arsyet e këtij mospajtimi mund të lidhen edhe me besimet e tij doktrinare.
Kryeministri është i vetëdijshëm se nëse do ta pajtohej me këtë tërheqje në këto rrethana të rënduara të krizës ekonomike dhe sociale, një infuzion i tillë financiar do ishte një lehtësi e madhe për shumë qytetarë. Të paktën një pjesë të shoqërisë do t’ia lejonte një frymëmarrje të sado kudo modeste.
Por, Albin Kurti pikërisht ky skenar është i papranueshëm. Dhe kjo rrjedh nga bindjet e tij ideologjike. Sepse, shumë prej nocioneve të tij politike, nuk janë asgjë tjetër, pos shekullarizim i doktrinave teologjike.
Kryeministri beson thellë thellë se vuajtjet individuale dhe krizat shoqërore, janë një kusht i domosdoshëm për progresin shoqëror. Prandaj, ai është kategorikisht kundër lehtësimit të tyre. Për të emancipimi politik dhe progresi ne histori, s’është asgjë tjetër pos një “luginë lotësh” drejt shëlbimit final. Ashtu, siç rekomandonin mësimet religjioze që vuajtjet në këtë botë nuk janë asgjë tjetër, pos sprovë para Perëndisë për ta fituar parajsën e përhershme.
Prandaj, ato duhet të shihen si bekim dhe jo si mallkim.
Në këtë drejtim, sa më shumë që një shoqëri pushtohet nga vështirësi të tilla, aq më mirë për të. Me kësi fantazma dikur ai e proklamonte përmbysjen e madhe.
Mirëpo, pasi nuk ia doli ta realizojë utopinë tij kryesore, për çlirim përfundimtar të njerëzve nga vargonjtë e institucioneve neo-liberale kapitaliste, ai sot është kthyer në apologjetin më të madh të tyre. Dhe po i mbron ato kundër nevojave të qytetarëve, me të njëjtin zell që dikur i sulmonte. Vendin e dikurshëm të revoltës së madhe e ka zënë mbrojta e Trustit. Tashmë ky mekanizëm ka marrë aureolë sakrale. Madje, as që janë më problem më rrogat e astrononomike të bordit të tij drejtues. Sepse, ai duhet mbrojtur me çdo kusht nga prirjet irracionale të njerëzve.
Ata që sot kanë vështirësi ekonomike dhe mund t’u lehtësohet jeta nga një shpenzim i pjesshëm i këtyre mjeteve, duhet të mësohen nga fryma e asketizmit që të jenë të lumtur në moshë të shtyrë. Me këtë qasje ai e ka shpallur vetën si një profet besnik të neoliberalizmit individualist, ku edhe kanë bazën institucione të tilla. Ngase mekanizma të tillë, rrjedhin nga logjika, se individi duhet të disiplinohet dhe të përkujdeset vetë për pleqërinë e tij. Sepse, shteti dhe solidariteti shoqëror nuk kanë më vend më në projektin e tij politik.
Më këtë filozofi, Albin Kurti, po ashtu po e transmeton edhe një mesazh të pashpresë. Se në regjimin e tij, as që mund të paramendohet ndryshimi i skemave pensionale, ku gjenerata me e re do të punonte për gjeneratat më të moshuara. Mekanizëm ky që do të shërbente si një mundësi për shtuar solidaritetin shoqëror ndërmjet brezave. Por, se tash e tutje çdo kush duhet të mendojë për fundin e tij. Kurse, shteti është këtu, vetëm për të mos e lejuar askënd që të gabojnë gjatë këtij rrugëtimi personal. Asgjë më shumë.
Ndërkaq ky fund mund të jetë edhe tregues i pozicionit të njerëzve në botën e përtejme. Mishërim tipik ky i “Etikës protestane dhe frymës së kapitalizmit”. Mbase, kjo edhe është arsyeja që para pak dite e mori guximin që ta lehtësoj nga barra e fajit për të kaluarën kriminale edhe Vuçiqin. Sepse edhe ai ka kohe që e ka shpallur vetën si fans të kësaj doktrine religjioze dhe ekonomike. Një solidaritet ky që kushtëzohet nga pasionet e përbashkëta teorike.
Sidoqoftë, mirë se erdhët në rendin neo-liberal të “shtetit social”. Nuk është e rastësishme që apostujt më fanatikë të këtij modeli janë bërë ministri i Financave me disa tregtarë të arsimit. Sepse, Albin Kurti nuk mund të gjejë mbështetës në mesin e ish-ndjekëseve të tij shumëvjeçar për t’i arsyetuar këto politika.