Pse e sulmoi sot presidentja Osmani ish-presidentin Thaçi?

Prishtinë | 15 Dhj 2022 | 14:20 | Nga Afrim Kasolli

Fjalimet vjetore te presidentëve para përfaqësueseve të popullit zakonisht janë ngjarje ceremoniale, ku shefi i shtetit e shpreh përkushtimin e tij për unitet politik. Mirëpo, në fjalimin e sotëm presidentja Osmani nuk e ndoqi këtë zakon të pashkruar.

Ajo nuk mundi te mos përmbahet pa e sulmuar ish-presidentin Thaçi, ndonëse pa ia përmendur emrin konkretisht. Por, që nga fjalimi u kuptua se intenca e kritikës ishte kundër tij, apo siç pohoi ajo, se ka kaluar koha e “tregtarëve të kufijve”. Pra, sipas saj, me largimin e tij nga detyra e pse jo edhe ardhjen e saj në pushtet, sovraniteti i vendit tashmë ndodhet në duar të sigurta.

Ky atakim i një figure që tashme nuk ndodhet në Kosovë, për arsyeje që dihet nga të gjithë ne, përpos që e justifkon punën e Gjykatës Speciale, sepse me këto arrrestime ai trup e paska shpëtuar Kosovën nga ndarja, si dhe është i motivuar nga rivaliteti i kahershm i zonjës Osmani kundër ish-presidentit Thaçi, në fakt si i tillë edhe e shpreh siklentin, tensionin dhe parahatinë ku është futur pushteti aktual.

Deshti apo nuk deshti zonja Osmani, ajo është në atë pozitë si pjesë e një projekti politik që kanë ardhur në pushtet me premtimin se nuk do ta lejojnë themelimin e Asociacionit, apo Zajdnicës siç e quanin sa ishin në opozitë.

Mirëpo, tash ky pushtet po i nënshtrohet presionit të hatashëm ndërkombëtar dhe veçanërisht atij Amerikan për ta themeluar sa më shpejt këtë entitet. E mirëmbajta e raporteve me Amerikën, raport ky të cilin veçanërisht e trumbeton zonja Osmani, sot kalon nëpëmrjet “tradhtisë”ndaj premtimeve të tyre elektorale.

Prandaj, që Zajednica të duket e mirë dhe që të justifikohen para elektoratit të tyre se si me pranimin eventual të saj e shpëtuan Kosovën nga një e keqe më e madhe sikur se ndarja, duke i mbyllur sytë pikërisht para asaj që e konsideronin se e Bosnjëzon Kosovën, atëherë mbase ky pushtet ka nevojë që të mbrohet duke operuar me narracionin e gogolit të madh. Dhe kështu të shfaqen si shpëtimtar edhe atëherë kur nuk i mbajnë zotimet publike.

Në këtë kontekst, sulmin ndaj ish-presidentit Thaçi e shoh pikërisht si nevojë të brendshme politike të kësaj koniunkture, e që në mënyrë simbolike e shpërfaqi zonja Osmani, edhe si reagim mbrojtës për “tradhtitë” e tyre të ardhshme politike për hir të mbajtjes së pushtetit.

Të ngjashme