Kur ca sociologë pa diplomë, pa një vepër, që nuk njohin as bazat tekstuale të sociologjisë i çajnë me arësye të ndryshme banaqet e televizioneve më vjen për të vjellë dhe për të qeshur me naivitetin dhe mashtrimet e tyre!
Sociologjikisht ka një përgjigje që e ka dhënë kjo shkencë në përgjithësi për problemin e asaj që quhet atomizimi i shoqërisë, anomizim i shoqërisë, përjashtim i individit nga shoqëria.
Individi braktis atdheun për një jetë më të mirë gjetiu sepse shoqëria në vendin e tij e ka përjashtuar, e ka përzënë, e ka vetmizuar paraprakisht në vendin e vet.
Cilat janë emigrimet e brendshme?
- E kanë përjashtuar në një masë të madhe nga sistemi zgjedhor. Ndaç hajde ndaç mos hajde në kutinë e votimit, edhe me tre veta zgjedhjet i quaj të ligjshme!
- E kanë përjashtuar nga fshati apo qyteti i tij i lindjes. Ike nga fshati dhe vajte në qytet, këtu nuk ke më punë të votosh! Kurse në BE njeriu zgjedh vetë ku do të votojë, në qytetin e madh ku ka vajtur, apo në fshatin e vete ku ka shtëpi dhe katandi,
- E kanë përjashtuar nga prona. Të gjitha këto privatizime janë bërë për t’a përlarë pronën publike dhe jo për ta privatizuar atë por ama duke i dhënë aksione popullsisë, jo duke e përjashtuar! Privimi nga bursa e aksioneve të së mirë publike, nga aeroportet, fushat me naftë, hapësira ajrore, valët e transmetimeve, energjia elektrike, etj. kanë bërë që Shqiptari të ndahet në një grusht përfituesish, Stiglitz thotë për raste të tjera, 1 përqind e shoqërisë, dhe gjithë të tjerëve me duar në xhepa!
- E kanë përzënë nga kultura kombëtare, tharje e kinemave, teatrove, estradave, shkollave, muzeumeve, librave me problematikë kombëtare. Pyesni një 15 vjeçar për Naimin, Samiun, Fishtën, Asdrenin, Migjenin dhe do të shihni!
- Perzënia nga puna, papunësia intelektuale e tmerrshme. Cfarë të bëjë njeriu ta zemë në Tropojë, Konispol, Sarandë, Gjirokastër? O polic, o kamarjer, o pastrues korridoresh, ose shitëse pas banakut për të shitur biskota me afat të skaduar!
Pra, shqiptarin e kanë përjashtuar nga politika, prona, vendlindja, punë, kultura? Pra, e kanë përjashtuar nga shoqëria, e kanë bërë të mos e quajë më shoqërinë si të tijën.
- Mos them se e kanë përjashtuar edhe nga juritë gjyqësore ku ai si në vende të tjera mund të marrë pjesë në gjykime duke sjellë atje perceptimin qytetar.
I përjashtuar edhe nga dhënia e së drejtës. Shqiptari pra mund të gjykohet nga e drejta, por jo ta japë drejtësinë!
Pasi ja kanë vjedhur pronën, vendlindjen, votën, drejtësinë, kulturën, punën, a është çudi që ai ikën?
Ja ku është fakti, jo arësyeja.
Pasi e kanë zhveshur nga Atdheu i vet, pyesin, përse ikën nga Atdheu!
Dhe në vend t’i rikthejnë atdheun, i thonë me hipokirizi: Rri aty ku ke ikur, dhe që andej futi një votë elektronike nuk dihet se për çfarë, për cilin! Ti voto se numurimin e bëjmë ne!
Dhe opozita bërtet për çdo gjë që i preket, dhe mirë bën, por kurrë nuk ndihet t’i kthejë shqiptarit atdheun që e gjithë klasa politike në këta tridhjet e kusur vite ja ka privuar shqiptarit!