Pse janë të palumtura disa gra shqiptare

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 18:30 | Nga Ada Halilaj

Jo vetëm që janë të palumtura gratë shqiptare por janë edhe gra të lidhura mbas frikës. Kanë frikë burrat, burrat e tyre, një frikë e balsamosun në shpirt, një frikë që ”mjeshtërisht” shitet si respekt apo dashni për palën tjetër.

Gratë ende trajtohen/qortohen si fëmijë brenda trupit të një të rrituni: gra që jepen si ”çmim” por, nuk janë kurrë pjesë e lojës.

Gra, që kanë dëgjua ma shpesh fjalët ”mbylle gojën” sesa ”të dua shumë”.

Gra që në debate zakonisht likuidohen me një ”ti s’din gjë” në vend të ftesës ”ti çfarë mendon?”.

Gra që nuk guxojnë me dalë jashtë shtëpisë pa marrë ”leje” nga burrat, të cilët, ”kundërshtimin”, zakonisht e dënojnë o me dhunë, o me kthimin e gruas te baba”, siç kthehet malli jocilësor.

Gra që nuk denoncojnë terrorin e përditshëm brenda mureve, sepse ndihen krejtësisht të pambrojtura jashtë… Të pambrojtura nga familja, por edhe nga vetë ne.

Gra që sjellin në jetë fëmijë me shpresën se dashnia e një të pafajshmi do ta zbusë nervin e bashkëshortit, e se plagët e saj do shërohen si me magji nga mëshira kundrejt një nane.

Gra të rrëzuara si buste prej mishi e gjaku.

Gra të mësuara me vetëflijimin si ideal.

Gra që vlejnë gjithmonë ma pak se ajo që japin.

Gra që me frikën hanë bukë çdo ditë.

Gratë shqiptare janë gratë e 1001 lotëve, 1001 netëve me gjumë të ikun, 1001 uljeve ne gjunjë.

E ky, nuk asht viktimizim. Viktimizimi dhe e vërteta kanë të përbashkët veç shkronjën me të cilën fillojnë. Asgjë tjetër.

Ky realitet është dhëmbi më i kalbur që kena, një dhëmb që duhet me ra për me i lëshua vendin një të riu, e që ju gjithsesi vazhdoni ta mbani me zor aty ku asht nën justifikimin: ”Kështu e ka fal Zoti, natyra, apo një libër i ramë prej qiellit.”

Në vendin tonë, për sa kohë gratë të ndalohen me u përgjigj me zënin e tyre, për aq kohë pyetjet do të vazhdojnë të përdhunohen nga burrat.

Burrat pyesin burrat. Burrat u përgjigjen burrave.

Dhe gratë, intelektualist të vdekura, bahen pjesë e një sistemi nekrofil, në të cilin kënaqësia maksimale arrihet përmes pushtimit të një mendjeje-kufomë.

Morali?

Faji jo vetëm që nuk asht kurrë jetim por nënë e babë i ka të dhjamosur me “BURRNI”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme