Ajo që po ndodh mes Kosovës dhe Perëndimit është gjëja më e rëndë që i ka ndodhur edhe Kosovës, edhe Perëndimit.
27 vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po detyrohen të rikthehen në Kosovë me trupa ushtarake, për t’i hequr nga duart pushtetin nga Veriu i Kosovës, një qeverie e cila ka prishur paktin e ekzistencës së Kosovës nën garancitë e Perëndimit.
Kjo është shumë e rëndë dhe e dhimbshme për Perëndimin, pasi Albin Kurti i detyroi ata që publikisht dhe në sytë e gjithë botës të ndjehen të penduar për çfarë bënë për Kosovën dhe të rikthehen aty pas 24 vitesh, për të shlyer gabimin e tyre.
Kjo është po ashtu shumë e rëndë për Kosovën, pasi në kohën kur kishte gjithë mundësitë dhe shanset të zhvillohej si shtet me fytyrë nga Perëndimi dhe me standardet e Perëndimit, bie nën duart e një qeverie, e cila ka bashkuar gjithë Perëndimin kundër Kosovës.
Pas 24 vitesh, sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili është personi që ka shkruar fjalimin e presidentit Klinton në mars 1999, që argumentonte “pse duhet bombarduar Serbia”, sot cilësohet si naiv nga Albin Kurti, dhe si njeri që e njeh gabim historinë e Kosovës. I thuhet kjo, njeriut që e ka bërë historinë e Kosovës me duart e tij.
Pas 24 vitesh, SHBA ka dilemën nëse Kosova do të jetë si Palestina apo si Qipro, duke shuar shpresat e saj të 24 viteve më parë, që do bëhej një shtet i qytetarëve evropianë.
Pas 24 vitesh, SHBA dhe BE po mendojnë seriozisht për vendosjen e një protektorati “de facto” e ndoshta dhe “de jure” në Veri të Kosovës, që të mos kthehet në vatër destabilizuese në rajon, duke shuar shpresat se qeveria e shtetit të Kosovës do të vazhdonte të qeveriste vendin, bazuar në arsyet pse Kosova u bë shtet i pavarur nga SHBA dhe Perëndimi.
Siç e tha ambasadori amerikan Hovenier, “Më shumë prani e huaj në Kosovë do të thotë më pak mundësi për popullatën vendase dhe shqiptarët që të marrin vendimet e tyre”.
Tani të gjithë pyesin pse Albin Kurti ja bën këtë gjëmë Kosovës?
Disa që i bien shkurt thonë se ai është një njeri që çon ujë në mullirin e Serbisë dhe po vepron si një agjent i konservuar i tyre brenda shqiptarëve. E vërteta është se po bën ashtu siç serbët duan të veprojë një kryeministër i Kosovës, por jo si një agjent i tyre. Si një njeri më i keq se ata!
Disa të tjerë thonë e bën se është frikacak dhe meqë nuk merr dot vendime si burrë shteti, kërkon të viktimizohet, duke u rrëzuar gjithmonë nga pushteti për të mbetur gjithnjë një alternativë e parealizuar.
Personalisht, mendoj se është më keq se kaq.
Albin Kurti është një delirant i rrezikshëm, i cili nuk do që të bëhet pjesë e historisë së Kosovës që kemi krijuar, por do që Kosova të jetë pjesë e historisë së tij si politikan.
Ai do të rrafshojë gjithçka është bërë për Kosovën deri më sot dhe gjithë arsyet përse është bërë Kosova. Tani e tutje ai do që historia e Kosovës të nisë me historinë e tij. Ai është një lloj Neroni i cili preferon që Kosova të digjet para syve të tij dhe kjo të ngjajë si sinjal shprese për rikthimin e Mesias.
Në fund ai shpreson që protektorati ndërkombëtar do vendoset në Veri, dhe historia nuk do shkruajë më për atë Kosovë që u bë shtet i lirë dhe i pavarur me gjakun e shqiptarëve dhe bombat e NATO, por për një Kosovë që e krijoi Albin Kurti, që nuk është më as e pavarur, as e Perëndimit, dhe as e shqiptarëve. Një krijesë apatride e Albin Kurtit, që urren gjithë çfarë kanë bërë shqiptarët dhe bota perëndimore deri më sot për Kosovën.