Shëngjini është bregdeti më i afërt për shqiptarët e Kosovës, pasi nga Prizreni te plazhet e Ranës së Hedhun duhen vetëm dy orë. Ky avantazh e bëri mjaft të frekuentuar qytetin e vogël të Veriut, i cili më parë shërbente vetëm për banorët përreth.
Kërkesa në rritje për pushime nxiti ndërtimin e hoteleve serioze pas viteve 2010. Në Shëngjin ofron shërbimet “all inclusive” një nga resortet më të mëdha në vend, që akomodon në një natë mbi 1700 persona. Por, përmirësimi i rrugës vitin e kaluar nga Rana e Hedhun deri në Lagunën e Kune -Vain ka nxitur një valë të re ndërtimesh pa kurrfarë standardi për turizëm të qëndrueshëm dhe serioz.
Oferta më e lartë për akomodim për të njëjtin fluks pushuesish ka sjellë ulje të çmimeve nga 30-50%.
Shëngjini ka humbur bukurinë një plazhi të qetë dhe cilësor ndaj dhe pushuesit këtë vit duket se e kanë braktisur.
Numri çekëve dhe polakëve u ul ndjeshëm këtë verë, gjithashtu edhe rezervimet nga shqiptarët e Kosovës, të cilët janë larguar drejt plazheve të tjera më pak të zhurmshme.
Hotelet kanë ulur çmimet në raport me një vit më parë për të tërhequr pushues dhe çadrat në plazhet e Ranës së Hedhun janë të mbushura përgjysmë. Menaxherët e hoteleve kryesore atje pohuan se dhomat në brezin e parë të plazhit po shiten edhe me 50 euro nga 80 -100 euro dy-tre vite më parë. Sipas tyre, vetëm këtë vit oferta për banesa të reja është dyfishuar dhe kjo ka sjellë ulje të çmimeve edhe për hotelet serioze.
Ndërtimet shkel e shko po rrezikojnë turizmin e qëndrueshëm
Pak kohë më parë, ministri i Turizmit, Blendi Klosi, pohoi në media se zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit po cenohet nga ndërtimet pa kriter. Ai tha se, vetëm këtë vit janë regjistruar më shumë se 250 hotele të reja në zonën e Shëngjinit dhe të Velipojës. Klosi vlerësoi se fluksi i lartë i ndërtimeve në bregdet dëmton zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Hotelet e mëdha në Shëngjin po i shesin dhomat në booking me 50-60 euro për një natë nga minimumi 80 euro vitet e kaluara.
Fluksit të lartë të ndërtimeve nuk i është përgjigjur kërkesa për të pushuar, e cila këtë vit ka qenë më e ulët në bregun e Shëngjinit. Pushuesit nga Kosova, të cilët prej vitesh kishin frekuentuar Shëngjinin duket se po shohin mundësi të tjera edhe brenda Shqipërisë apo jashtë saj. Bizneset e zonës pohojnë se, flukset janë së të paktën 50% më të pakta se një vit më parë. Ata kishin investuar në infrastrukturë dhe burime njerëzore për një sezon të mbarë, por këtë vit, janë disi të zhgënjyer, shkruan ‘monitor’.
Arsyet e ikjes së pushuesve janë të shumta dhe komplekse, por arsyeja kryesore lidhet me mungesën e politikave orientuese të qeverisë për të zhvilluar turizmin në baza të qëndrueshme dhe për më tepër, për të mos lejuar ende sot pas gati tre dekadash tranzicion ndërtime pa kriter.