Fushatë e orkestruar për ta dëmtuar turizmin : Krimi i rëndë në Velipojë që për pasojë pati katër ( 4 ) të vrarë dhe dy të plagosur , vënia e flakës mbi 60 –të shezlongëve bë Drimade ( Dhërmi ) , dëmtimi i shezlongëve në Ksamil , faturat shumë të fryera , përsëritja e rastit të ngjashëm me ate të Koço Kokëdhimës dhe “ antikosovarizmi “ në Durrës janë vetëm disa shembuj që i paraqesin në mënyrë kompromituese gjendjen dhe sigurinë e mysafirëve në plazhet e bukura të detit Adriatik dhe detit Jon në Shqipëri . Për dallim nga kjo zymtësi përshkruese e gjendjes së turizmit në Shqipëri e që e bëjnë , me qëllim të caktuar kryesisht gazetarë të caktuar dhe personalitete nga Kosova por edhe nga Shqipëria , shumë agjenci botërore rekomandojnë Shqipërinë si vend ideal për pushime duke e konsideruar si perlë apo xhevahir turistik. Rasti i Velipojës është jashtëzakonisht i rëndë dhe me përfundim tragjik të cilin keqdashësit e përdorin për të bërë një propagandë të ndyrë kundër turizmit dhe vet Shqipërisë dhe për t’ua bërë një shërbim prej djalli vendeve apo agjencioneve të tjera që Shqipërinë e shohin si konkurent në këtë fushë. Media të papërgjegjshme dhe tendencioze filluan të bëjnë” hulumtime “ dhe anketa me pushuesit dhe , për çudi hapësirë fitonin kryesisht ata që bënin thirrje të mos shkohet në Shqipëri por të shkohet në Mal të Zi apo vende tjera . Realisht , të gjithë ata që e kanë përcjellur zhvillimin e përgjithshëm në Shqipëri e në këtë kontekst zhvillimin e turizmit në veçanti , që nga vitet 90 –ta , lehtësisht mund ta konstatojnë se Shqipëria është zhvilluar më shpejtë dhe më shumë se çdo shtet në Ballkan. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri u krijuan mundësitë që të vizitohet ky vend i amshuar për të gjithë shqiptarët e që për shqiptarët e Kosovës ishte thjesht një ëndërr , hiç ata që dërgoheshin atje nga UDB –ja jugosllave . idealizmi i projektuar në mendje , zemër dhe ndërdije u zëvendësua me një zhgënjëm të madh dhe dëshpërues. E që nuk ishim në gjendje , as ta besonim e as ta pranonim ! Kur dola nga Burgu – Llogori i Stara Gradishkës në vitin 1990 –ë , me një pasaportë të lëshuar në Kroaci por që e kishte ngjyrën e kuqe kisha mundësi të shkoja në Shqipëri përmes Maqedonisë e që e shfrytëzova këtë mundësi duke e vizituar Shqipërinë disa herë . Para meje në Shqipëri pati shkuar një shok imi i ngushtë , Hajrullah Uka i cili , me një takt të balancuar bënte përpjekje të më përgatiste për ate që do ta shihja duke e ditur dashurinë e madhe që e kisha për Shqipërinë. Në fakt , sa isha në llogoret e ish – Jugosllavisë , për 8 vite e 6 muaj burg , e dëgjoja Radio Tiranën ( ilegalisht ) dhe , duke e kërkuar të vërtetën për gjendjen ekonomike dhe politike , midis lajmeve që ishin krejtësisht të orkestruara , nuk prisja që Shqipëria të ishte si Zvicra e as si Norvegjia por se nuk kisha paramenduar as në imagjinatën më të shëmtuar se gjendja ishte ashtu siç e pashë në fundvitin 1990 . Edhe ashtu nuk njihesha aspak si përkrahës i Enver Hoxhës gjë që nganjëherë ndizte shkëndija me shokë gjatë vuajtjes së dënimit por që kaloheshin shpejt për faktin se të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë që vuanin në llogoret e ish – Jugosllavisë ishin patriotë të vërtetë , të pabindur ndaj regjimit jugosllav , të vendosur në mbrojtje të qëndrimeve të tyre politike dhe edhe më të vendosur në vazhdimin e luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Të burgosurit politikë shqiptarë në llogoret e ish – Jugosllavisë nuk pranonin asnjë beneficion , lirim të parakohshëm apo falje e që do të mbështetej në kërkesat e tyre për faktin se nuk bënë asnjë kërkesë drejtuar udhëheqjes jugosllave me të cilën do të përfitonin. Vërtetë ishin të qëndrueshëm , të mahnitshëm dhe të vendosur ta përballojnë çdo sakrificë ! Unë mësoja prej tyre dhe e dija se të gjithë ishim kombëtarë por se dashuria ndaj Enver Hoxhës , në të vërtetë ishte dashuria ndaj Shqipërisë dhe se ashtu do të përkrahnim çdokend që do të ishte në Shqipëri , si udhëheqës në ato kohëra. Idealizmi na mbante , edhe të fortë , edhe të bashkuar. Ishte dhe shumë mirë që nuk e dinim gjendjen reale në Shqipëri sepse edhe mund të ligështohemi pakëz. Kush ka kaluar shumë vite bashkë me Bacën Adem Demaçi , Fehmi Lladrovcin , Remzi Ademajn , Rexhep Malën dhe Skender Katratin , Dr. Hafir Shalën dhe Dr. Haki Gashin dhe të burgosur tjerë , këtë kohë nuk mund dhe nuk duhet ta llogarisin si vuajtje por si kohë e vetëdijësimit dhe të përndritjes , si shkollë , fakultet dhe akademi e atdhedashurisë dhe sakrificës . Këtë e dëshmuan pasi dolën nga burgu duke u flijuar për lirinë edhe të atyre që na arrestuan apo që në emër të një rezistence paqësore që bëhej për të siguruar prapanicat e tyre , e dëmtuan shumë Luftën Çlirimtare e udhëhequr nga e Lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës , në me krye Komandantin Legjandar , të Pavdekshmin dhe të Amshueshmin , Adem Jashari si dhe Abetaren , Kuptimin dhe Përmabjtjen e Lirisë dhe Bashkimit Kombëtar , Kolosin që në shqiptari lind një në 5000 vjet , të Papërsëritshmin dhe Vetmohuesin Biblik , Bacën Adem Demaçi ! Në anën tjetër , nuk e besoj se ka vend në botë ku horrat dhe sabotuesit e luftës çlirimtare të kenë përfituar më shumë politikisht dhe ekonomikisht se në Kosovë . Kjo gjendje vazhdon edhe sot dhe zgjatjet e tyre biologjike dhe gjenetike bëjnë shtatë palë qejfe në Kosovë duke sulmuar , fyer luftën çlirimtare dhe duke denoncuar dhe pregatitur dosje kundër lutëtarëve dhe udhëheqësve të luftës çlirimtare , tash si kolonë e pestë prandaj edhe mbahen në burgun e Hagës ata që i prinë dhe e fituan luftën. Ky është mallkimi që i përcjell shqiptarët ndër shekuj , ata që sakrifikohen e pësojnë kurse puthadorët dhe horrat përparojnë !
Shqipëria e viteve të 90 –ta : Shqipëria e viteve të 90 –ta përveç tokës dhe ajrit nuk kishte asgjë që do të përmbushte edhe minimalisht nevojat e qytetarëve . Nuk kishte shtëpi , nuk kishte drita e as ujë , rrugët ishin si në Kandahar kurse kanalizimi ishte ai që kishte mbijetuar kohërat nga romakët dhe ilirët . Si mjete transporti , madje edhe në Tiranë përdoreshin kamionë dhe autobusë të demoluar dhe pa xhama e në jo pak raste edhe gomarët. Bicikleta ishte mjeti kryesorë dhe ishte luks për shumicën e qytetarëve të Shqipërisë. Shitoret ishin keq të furnizuara dhe mungonin artikujt elementarë . Edhe për të blerë bukë bëheshin radhë të gjata. Mbajë mend se shumë shqiptarë , në mundësinë e parë që e kishin , hynin në oborrin e ambasadave të huaja , si mundësi e vetme për t’u larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Gratë punonin punët më të rënda kurse burrat pinin tërë ditën një alkool të keq dhe kur i pyesja pse nuk po punojnë , përgjigja e tyre ishte : “ kemi vuajtur shumë dhe tani ka ardhur demokracia …”. Rruga Morinë – Kukës ishte tmerr kurse ajo Elbasan Tiranë përmes Qafë Kërrabës ishte ferr .Po të largoheshe 100 metra nga qendra e Tiranës e që ishte ndërtuar nga italianët , kaloje në një botë tjetër me rrugë të shkatërruara dhe të mbuluara me pluhur , baltë dhe mbeturina. Po të kishe nevojë ta bëje një thirrje telefonike , duhej të prisje disa orë ose ta korruptoje punëtorin e postës. Kur e fitova të drejtën ta bëjë një thirrje telefonike , punëtorja e sportelit m’u drejtua me fjalët : “ kosovar , rri para kabinës numër tre se ajo do të lirohet pas një ore …”. Kishte pasiguri fizike për shkak se kishte pasiguri politike. “ Dallëndyshet “ e para nga Kosova e që unë i quaj korba e që shkuan në Shqipëri ishin të dërguarit e UDB-së dhe horrët e të gjitha llojeve të cilët , me porosi nga UDB-ja , nuk lanë të zezë pa bërë në Shqipëri duke e keqpërdorur gjendjen e rëndë ekonomike dhe brishtësinë e situatës politike.
Unë me Hajrullah Ukën e vendosëm në Durrës , te Bashkimi që na priti shumë mirë gjatë kohës sa qëndruam aty , për një kompensim thuaja modest. Na dërgoi në Kukës , Elbasan , Librazhd , Krujë dhe Tiranë. Durrësi , si qyteti kryesor turistik ishte i mbushur me lypësarë , anije dhe udhëtarë që lëviznin drejtë Italisë. Nuk kishte fare infrastrukturë në plazhë e që vërshohej nga ujëra të zeza. E kundërta e kushteve për një turizëm minimal e lëre më konkurrues. Shumë rrallë dëgjohej muzika në gjuhën shqipe kurse mbizotëronte ajo nga Serbia . CD dhe kasetat që shiteshin në tregje ishin kryesisht nga tregu jugosllav . Për një patriot idealist ishte fundi i botës , hyrje në kataklizmë. Skemat piramidale kishin bërë kërdi ndërsa Sudja dhe Xhaferri , pasi i kishin plaçkitur shqiptarët përmes këtyre skemave , ishin zhdukur. Politikën e bënin politikanët që për këshilltarë dhe mbrojtës kishin bandat famkëqija shqiptare që , brenda një afati të shkurtër kohor ia futën flakën Shqipërisë tre herë duke e lënë , pa polici dhe pa ushtri !
Mirëpo , Shqipëria dhe shqiptarët dëshmuan një shkathësi të jashtëzakonshme , jo vetëm për të mbijetuar por për t’u zhvilluar , më shumë dhe më shpejtë se çdo vend në Ballkan. Shqipëria , nga një vedn transit për tiristë u shndërrua në një vend destiancioni për turistë , jo vetëm shqiptarë por nga e tërë bota. Krahasojini plazhin e Velipojës dhe të Shëngjinit si edhe vet qytetet brenda një harku kohorë prej 30 vitesh ?! Ndryshimet janë të paimagjinueshme dhe të pabesueshme. Shiheni sot Tiranën , Durrësin , Elbasanin , Fierin , Beratin , Korçën , Vlorën dhe Saranden . Sikur të jemi në një botë tjetër. Shetitorja transshqiptare bregdetare Velipojë – Ksamil po jetësohet në projektin Lungo mare . Tmerri dhe ferri i dhiareve Morinë – Kukës – Tiranë dhe Elbasan – Tiranë janë shndërruar në rapsodi rrugore që e shkurton shumë rrugëtimin dhe e lehtëson drejtimin e makinave. Nga Tirana – Durrës – Fier – Vlorë dhe deri në Gjirokastër përkatësisht deri te Qafa e Muzines thuaja është autostradë. Sikur që është kënaqësi të shkoni në Pogradec përmes autoudhës , thuaja ngjitur me liqenin për të vazhduar pastaj për në Korçë. Në asnjë vend në Ballkan nuk keni të ndërtuar aq shpejt dhe aq mirë një rrjet komunikimi rrugor. Edhe Kosova është mirë në këtë drejtim . Në Shqipëri është përmirësuar dukshëm furnizimi me ujë dhe rrymë sikur që është ndërtuar rrjeti i kanalizimit . Edhe furnizimi me artikuj ushqimorë është thuaja i njëjtë me të gjitha vendet europiane sikur që kapaciteti akomodues për turistë është mijërafishuar. Keni mundësinë të zgjidhni midis ofertave që përputhen me mundësitë materiale , nga ato modeste e deri te ata që ndjehen si aristokratë apo snobë.
Gjatë zhvillimit të shpejtë të Shqipërisë , në përgjithësi , dhe turizmit në veçanti janë bërë gabime dhe lëshime në planifikimin e nevojave dhe të mundësive . Si çdo qytet bregdetar në botë edhe qytetet e Shqipërisë po përballen me mungesën e vendeve për parkim të automjeteve , mirëmbajtje të pastërtisë , mirëmbajtje të plazheve , instalim të dusheve në plazhë dhe të ujit të pijshëm e sidomos kontrollë kundër ngritjes së çmimeve e që janë në shpërputhje me kushtet dhe shërbimet e ofruara. Pandemia ka shkatërruar infrastrukturën turistike në Shqipëri dhe vetëm injeksioni i shqiptarëve nga Kosova gjatë uikendeve ka ndikuar që turizmi të mbijetojë , në kushte ekstreme.
Tash është përhapur një luftë speciale kundër turizmit në Shqipëri nga vet shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë përkatësisht nga ata që kurrë nuk e kanë dashur Shqipërinë dhe shqiptarët. Të përpiqesh të gjeshë qime në ve në turizmin shqiptarë duke regjistruar edhe pordhët e pulave dhe ta përdorësh si pretekst për të bërë thirrje të mos shkohet në Shqipëri por në Mal të Zi nuk është vetëm mungesë e korrektësisë por se kjo e ka qëllimin e caktuar dhe të porositur. Ajo çka ndodhë në Shqipëri është e papërfillshme me ate që ndodhë edhe në qendrat më të njohura turistike në botë si në Meksiko , Brazil , Kroaci , Spanjë , Francë , Itali , Greqi , Egjipt , Maroko , Tunizi , Filipine dhe qendrat tjera ekzotike. Të gjithë mund të gabojmë në vlerësime, psh. unë mendoj se të gjithë ata që duan të shkojnë në Ulqin , Budva apo Herceg novi , janë nostalgjikë për ish – jugosllavinë por se nuk bëjë thirrje të mos shkohet në ato vende.
Gjatë luftës së në Kosovë shqiptarët e Shqipërisë hapën dyert e shtëpive dhe banesave të tyre për shqiptarët e përzënë nga Kosova duke ua ofruar çdo gjë që kishin dhe duke e lënë veten keq vetëm që të krijojnë kushte më të mira për kosovarët. U krijuan miqësi personale dhe familjare që , nga viti në vit vetëm sa u forcuan.Në vitin 2000 shkova me familje për pushime në Sarandë dhe nga ajo kohë nuk ndodhë që brenda viti të mos shkoj në Sarandë , Tiranë , Fier apo Ksamil . Tash , në Sarandë shkojmë te Arben dhe Mira Hito sikur në shtëpinë tonë dhe sikur të ishim një familje sikur që edhe ata ndjehen njëjtë kur janë në Prishtinë. Në Ksamil e kemi gjithmonë derën e hapur te Auguri – Guri dhe familja e tij sikur që në Fier i kemi miqtë e shpirtit , me një miqësi thuaja 20 vjeçe, te Valbona Llambrollari dhe Ermelinda Qato . Prandaj edhe nuk kërkojmë alternativë tjetër. Sigurisht se edhe qytetarët e tjerë nga Kosova kanë miq sikur ne dhe e ruajnë dhe forcojnë miqësinë e munguar dhe të penguar që nga viti 1945 e deri te viti 1990.
E kemi vetëm një Shqipëri. Shqipëria duhet të bëhet dhe jo të zhbëhet . Turizmi shqiptar duhet të ndihmohet e jo të pengohet gjithnjë duke respektuar vullnetin e përcaktimit se çdokush ka të drejtë të shkojë në pushime ku të dojë , pa përdorur goditje të ulëta kundër njërit apo tjetrit vend. Turizmi shqiptar ka shkuar përpara me hapa të mëdhenj , me një dinamikë të përshpejtuar. Me kohë , po integrohet në rrjedhat e turizmit elitar botëror . Kontributi i shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve anekend botës është i madh , i jashtëzakonshëm. Në fund të fundit , si shqiptarë nuk po bëjmë asgjë që nuk na takon , po i ndihmojmë dhe po e forcojmë shtetin tonë , vendin tonë , mbamendjen tonëhistorike , ndërgjegjen tonë , qenien tonë , djepin tonë dhe vet ekzistencën tonë. Nuk ka vend si Shqipëria , është dashuria jonë e parë dhe e vetme , e përjetshme , deri në amshim. Është trajektorja e rrugëtimit tonë midis dy pikave ; lindjes dhe vdekjes !