Pse Presidentja zgjodhi 9 shkurtin për zgjedhje?

Prishtinë | 16 Gus 2024 | 20:19 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka caktuar datën 9 shkurt të vitit 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Sipas këshilltarit të Presidentes, Bekim Kupina, këtë vendim Osmani e ka marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike.

“Këtë vendim, Presidentja Osmani e ka marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike”.

“Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti”. 

“Pas shqyrtimit të të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira. Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve”, ka shkruar Kupina. 

Të ngjashme