Në politikë me gjasë ka qenë një javë më e tensionuar se zakonisht. Duket se këtë javë ishte jo opozita, por pushteti që tregoi shenja të panikut dhe shqetësimit e tensionit.
Nuk di çka është me u befasu se pushteti i cili i ka 50% të votave do të tkurret në zgjedhjet e ardhshme? Kjo është shumë normale dhe e shëndetshme edhe për sistemin tonë politik, por edhe për vetë LVV-në. Fillimisht e patëm rastin me ministrat e Financave dhe ministren e Jashtme. Me tentim-paraqitjen që çmimet në Kosovë janë më të mirat sesa gjithkund në rajon dhe Europë. Një manipulim i pastër, për shkak se disa çmime janë më të shtenjta sesa në Berlin e Vjenë dhe kjo është e arsyeshme se ne mvaremi nga importi që tash ka shkaktu deficit tregtar -5miliardë në vit (50% e ekonomisë humbet jashtë).
E ky tentim propagande dhe manipulimi i irriton njerëzit, se ata janë nën presion të thellë nga kriza e financave dhe çmimeve. Fuqia blerëse është shkatërruar gjatë viteve të fundit. 300 euro vlenë ndoshta 200 euro ndërsa një shportë në market që ka kushtu 85 euro kushton 150 euro tash ndoshta! Për me përshkallëzu, ministrja e Jashtme gjatë javës abuzoi me një grafikon të Evropës së Lirë ku e keqcitioi Eurostatin. Por të nesërmën, ky medium kredibil ua kujtoi të gjithëve që edhe me qenë çmimet të njëjta, pagat janë më të ulta në europë. E pastaj gjatë javës kishim edhe kryeministrin i cili i akuzoi brutalisht mediat. “Po paguhen me para të pista”. Po mirë bre, pse nuk po shkon me i tregu prokurorisë. A bash para vendeve që nuk na njofin si shtet ti duhesh me i bisedu këto tema të brendshme? Pse nuk ia kërkove njohjen kryeministrit spanjoll, a nuk kishte qenë më mirë e më e udhës?
Por gjithashtu, si asnjëherë më parë, KM tha Kosova është shtet ‘socialist’, ta merr mendja që jemi në vitin 1917… Por publiku ishte i shpejtë me ua përkujtu të gjithëve që social-demokracia edhe pse një ideologji e mirë për qytetarët, ajo nuk shkon pa e zhvilluar ekonominë e bizneset fillimisht.
Ky zaten është defekti kryesor i Albin Kurtit dhe Qeverisë: Ata shpërndajnë para publike që nuk i kanë fitu vetë, por bizneset, duke i bërë dëm ekonomisë e duke e rënduar sektorin privat edhe më shumë. E këto politika të majta (shpërndajë pa fitu) e kanë rritur migrimin ekonomik (200,000 për tri-katër vjet) dhe kanë dyfishuar importin dhe deficitin tregtar.
Nëse këto politika vazhdojnë, Kosova mund të falimentojë se nuk mund të harxhosh pa fituar. Sidomos duhet të investosh aty ku ka kthime e jo ku e rritë importin dhe deficitin tregtar. Sidoqoftë, një javë me paksa tensione të lehta.