Në një mbledhje të Lëvizjes Vetëvendsoje ku kryetari Albin Kurti pati plot vërejtje për anëtarët, deputetët e ministrat e partisë së tij, nuk morën pjesë disa figura të njohura të këtij subjekti politik.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca s’ishte aty. Shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli tha se janë në pushime.
“Po për besë jemi në pushim”, tha ai.
Në mbledhjen e partisë nuk ishte as zëvendësministri i Ministrisë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, një nga anëtarët më aktivë të kësaj partie. Ndonëse iu duk si kërkim-llogarie pyetja për mungesën e tij në mbledhjen e partisë, Durmishi tha se s’ka mundur të merrte pjesë këtë herë.
“Jo bre po strukturave të brendshme të Lëvizjes Vetënvedosje unë iu jap llogari, jo Gazetës Express. Unë nuk kam mundur të marr pjesë në mbledhje sepse s’kam qenë këtu. Përndryshe, në çdo mbledhje tjetër kam marrë pjesë”, tha ai.
As ministri Liburn Aliu s’u pa në mbledhjen e partisë.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nuk u panë as deputetët Haki Abazi, Eman Rrahmani, apo deputetja Labinotë Demi-Murtezi. Këta së fundmi s’kanë qenë gjithnjë në linjë me partinë. Ata, sikur ministri Aliu, ishin të paqasshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të Expressit rreth mospjesëmarrjes së tyre në këtë mbledhje.
Kryeministri Kurti nga mbledhja e partisë paralajmëroi ndryshime në Qeveri, ndërsa tha se “nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj”.
Kurti foli për “egoizma” e “karrierizma” brenda LVV-së dhe brenda Qeverisë, ndërsa tha nevojitet punë kolektive dhe “persona që dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre”.
“Ministrat e zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa”, tha ai, duke paralajmëruar vlerësime dhe ndryshime në Ekzekutiv.
Ai po ashtu i paralajmëroi deputetët e partisë së tij se mund të mos jenë më as kandidatë për deputetë të LVV-së nëse nuk e ndihmojnë Qeverinë.
“E keni mundësinë të shkëlqeni, por mirë nuk është shkëlqyeshëm. Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni Qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”, tha kryetari i LVV-së.