Kongresi ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja” ka filluar të enjten në Prishtinë, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, raporton Ekonomia Online. Në këtë kongres të organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, ku morën pjesë psikologë, psikiatër e pedagogë, u theksua rëndësia e shëndetit mendor dhe luftimi i stigmës që e mbështjellë atë.
Ilir Havolli, kryetar i të dyja Shoqatave, tha se shëndeti mendor është komponent themelor i shoqërisë sonë, për të cilin duhet të flitet hapur.
“Ky kongres është bërë një traditë tashmë. Dua ta potencoj se po fillon në ditën e shëndetit mendor, ditë qe na tregon se shëndeti mendor është një komponent themelor në mirëqenien tonë. Duhet ta luftojmë stigmën që vazhdon të mbështjellë shëndetin mendor dhe të flitet hapur për të”.
Ai ka theksuar se të dyja shoqatat janë bërë mbështetje e madhe për psikologët, duke ofruar trajnime të ndryshme dhe shkëmbime përvojash.
“Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë bërë një mbështetje e madhe për psikologët tanë duke i trajnuar dhe shpëtuar ata. Bashkëpunimi ynë është dëshmi e rëndësisë së përpjekjeve për të krijuar një rrjet që i ndihmon profesionistëve tanë”.
“Kongresi i gjashtë na ofron një platformë të artë për të diskutuar sfidat dhe të shkëmbejmë praktikat më të mira Shoqatat kanë krijuar një rrjet të fortë ti cilin duhet ta forcojmë edhe më shumë. Së bashku ne mund të thyejmë barrierat e stigmës dhe të krijojmë një botë më të mirë për të gjithë”.
Ndërsa, Ferid Agani, neuropsikiatër, tha se organizimet e tilla kanë rëndësi të veçantë, sidomos në trajnimin e kuadrove profesionale.
Ai ka theksuar se ndryshimet e mëdha teknologjike, shoqërore, ekonomike e klimatike mund të kenë konsekuenca në shëndetin mendor, andaj “ka shumë sfida para nesh”.
“Organizimi i tubimeve të tilla ka një rëndësi të veçantë, sidomos në trajnimin e kuadrove profesionalë dhe shkëmbimin e përvojave Duhet kaluar nga fjalët në vepra. Duhet të jemi më konkretë qe cilësia e shërbimeve tona të jetë më konkrete”.
“Kemi shumë sfida para nesh. Kemi ndryshime të mëdha teknologjike dhe shoqërore. Po shkojmë kah nje botë individualiste. Njëkohësisht, familja për shumë profesionistë si unë, ka qenë themeli i shoqërisë. Konfrontimet e botës moderne kërkon shkencën e psikologjisë. Ballafaqimi me ndryshime të mëdha ekonomike. Klimatike, mund ta merrni me mend se çfarë konsekienca kanë ato në shëndetin mendor”.
Doktoresha Xhezide Lumi, psikiatre e fëmijëve në Klinikën Königsfelden Ëindisch në Zvicër, tha se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet të gjithë psikologëve, raporton EO.
“Është shumë e rëndësishme që të bëjmë ura ndërlidhëse me njëri-tjetrin. Duhet të jemi të vendosur qe të punojmë, pa ndarje të kufijve, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Vetëm të bashkuar mund ta kemi një shëndet të mirëfilltë të popullit tonë”.
Në këtë kongres morën pjesë edhe psikiatër e psikologë nga Italia e Gjermania, të cilët online shkëmbyen përvojat e tyre.