Ilir Havolli nga Shoqata e Psikologëve Klinikë, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se pandemia mund të ketë ndikimin negativ në sjelljet e njerëzve.
Sipas tij, personat pas pandemisë mund të shfaqin sjellje agresive, tërheqje sociale, dhe po ashtu mund të përjetojnë doza të stresit dhe makthit.
Sipas Havollit, individët nuk mund t’i kthehen normaliteti që e kanë pasur, por ta rikrijojnë atë.
Havolli ka thënë se më shqetësuese janë sjelljet agresive që mund të ndodhin si pasojë e pandemisë, e të cila mund të jetë evidente gjatë kësaj kohe, sepse individët mund të kenë humbur punën apo ndonjë të afërm të tyre.
“Sjellja e individëve pas pandemisë nuk do të jetë nuk do të jetë e ngjashme me sjelljen e individëve gjatë pandemisë dhe para pandemisë për faktin se individët, pas pandemisë mund të shfaqin sjellje agresive, tërheqje sociale, dhe disa mund të vazhdojnë të përjetojnë doza të stresit dhe makthit dhe kjo nuk është diçka që ndodh vetvetiu. Individët pas pandemisë do të kthehen në normalitetin që e kanë pasur, por duhet të rikrijojnë këtë normalitet”.
“Gjatë kësaj kohe kur janë duke krijuar rutinën e tyre të re, atëherë është evidente që këta individ përjetojnë tërheqje sociale nga individ të tjerë, por më shqetësuese janë sjelljet agresive që mund të ndodhin si pasojë e pandemisë, e cila mund të jetë evidente gjatë kësaj kohe, sepse individët ndoshta kanë humbur punën e tyre të afërmit dhe kjo është ajo që ndikon në mënyrë indirekte dhe tek sjelljet e tyre. Ndikimi do të jetë evident sepse çdo situatë e cila është kaluese ka predispozita për tu rikthyer tek individët dhe ndikimet do të jenë jofavorizuese për këta individ që e kanë përjetuar, sidomos për familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre”, shtoi Havolli.
Havolli përmendi edhe përballjen e individëve me pasoja nga më të ndryshmet, ku më shqetësuese mund të jenë ato të stresit pastraumatik.
“Pas kalimit të pandemisë individët do të përballen me pasoja nga më të ndryshmet, ku më shqetësuese mund të jenë pasoja e stresit pastraumatik për faktin se ne si Shoqatë e Psikologëve të Kosovës, kemi vendosur që nga 8 marsi një grup i psikologëve për këshillime online të cilët janë dhënë për territorin e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi. Gjatë kësaj kohe kemi pasur vendosje të stresit dhe ankthit të vazhdueshëm, ku po arrijmë ti monitorojmë ato raste dhe duhet të kemi kujdes sepse çdo paraqitje gripoze këta individ i kthen në të tanishmen dhe ndikon në simptomat e stresit pastraumatik. Andaj kjo është pjesa më shqetësuese që na intereson si psikolog”, shtoi ai.
Sipas tij, kjo situatë mund të tejkalohet me vetëbesim të shtuar, duke u shërbyer të gjithë njerëzve që të merren sa më shumë me veten dhe familjen.
Havolli tha se përjetimi i kësaj situate do të jetë evident, mirëpo format e përjetimit do të jenë më të lehta sepse individët do të mësohen të jetojnë me virusin.
“Ne tani e tutje do të jetojmë me këtë pandemi, ashtu siç është thënë nga IKShP-ja, dhe nuk mund të themi që do të kalojë kjo pjesë. Përjetimi i kësaj situate do të jetë evident, mirëpo format e përjetimit do të jenë më të lehta sepse individët do të mësohen të jetojnë me virusin”, shtoi ai.
Mes tjerash, Havolli ka thënë se mbi 80% e personave e kalojnë pandeminë pa siptomatologj dhe ka apeluar te të gjithë personat që tu përmbahen rekomandimeve të OBSh-së dhe IKShP-së.
Havolli ka thënë se edhe pas kalimit të pandemisë njerëzit nuk do të mund të lirohen përfundimisht nga ky virus për t’ia zgjatur dorën njëri tjetrit apo për tu përqafuar siç kanë bërë gjithmonë, për faktin se do të mbjellë tek të gjithë frikë për të vazhduar me ruajtjen e distancës sociale.
“Edhe pas kalimit të pandemisë individët nuk do të munden të lirohen për t’ia zgjatur dorën njëri tjetrit dhe përqafuar siç i kemi pasur traditë, për faktin se është mbjellë tek ne ajo frika që shumë njerëz mund të jenë bartës por mund të jenë edhe të padiagnostifikuar, mendoj se edhe pas kalimit të pandemisë shumë individ do të vazhdojnë ta ruajnë atë distancën sociale e cila është e nevojshme për të përballuar me sukses këtë fazë sepse jo çdo herë një pandemi përfundon në datën e caktuar, aq më pak për këtë pandemi kemi informacione shumë të pakta dhe kjo do të jetë një situatë e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen diferenca fizike dhe masat e sigurisë”, shtoi Havolli.