Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin dënues dhe aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në rastin ndaj të pandehurit S.R., i akuzuar për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sllobodan Radenkoviq u dënua me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmin e 2023-ës ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan..
Sipas njoftimit zyrtar të PSRK-së, vendimi i gjykatës përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të vendosjes së drejtësisë dhe adresimit të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Prokuroria theksoi se aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë dëshmon funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, duke kontribuar në trajtimin më të shpejtë dhe më efektiv të rasteve penale.
Në reagim, institucioni vlerësoi se ky aktgjykim njëkohësisht përforcon sundimin e ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë se veprat penale ndaj personave zyrtarë dhe rendit publik nuk do të tolerohen.