PSRK thotë se Klinaku u intervistua nën dyshimin e veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”

Prishtinë | 30 Gus 2023 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), është intervistuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësi i PSRK-së, Ekrem Lutfiu, i cili tha se Klinaku eshtë intervistuar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, ka intervistuar sot, personin me inicialet, F.K, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Lutfiu.

Intervistimi i Klinakut vjen pas një postimi në rrjetin social Facebook, ku tha se më parë e vret Kryeministrin Albin Kurti sesa që do t’ia lëshonte rrugën e të ikte nga Kosova.

Intervistimin e Klinakut, fillimisht e konfirmoi avokati i tij, Ramë Dreshaj.

Ndërsa, vetë Klinaku në një prononcim për “Betimi për Drejtësi“, tha se Policia e kanë kryer obligimin ligjor dhe se në intervistim ka qenë bashkë me avokatin e tij.

“Ata e kanë obligim ligjor, unë shkova e kryva obligimin ligjor, me avokat isha”, tha ai.

I pyetur rreth kërkesave për të dhënë dorëheqje, Klinaku tha “Dorëheqje duhet të jepin këta që iu kanë dalë përgjimet”.

Ndryshe, përmes një postimi mbrëmjen e së martës, Klinaku ka shkruar se më parë do ta vriste Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sesa të largohej nga Kosova.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij saqë tha:

Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë.

I thashë:

As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova.

P.S

Kosovën nuk duhet, e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, ka shkruar ai.

Të ngjashme