Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur afatet për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019-së, njofton Klan Kosova.
Këtë e bëri të ditur për Ekonomia Online Vlamir Elezi, zëdhënës për media në KQZ.
Sipas kësaj ftese për aplikim kanë të drejtë subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe mediat.
Këtu më poshtë keni ftesën e plotë të KQZ-së:
Ftesë për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton lidhur me afatet për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019.
Kërkesën për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve mund ta dorëzojnë:
– Subjektet politike të certifikuara;
– OJQ-të;
– Organizatat Qeveritare dhe Ndërqeveritare;
– Organizatat Ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut;
– Përfaqësuesit e vendeve të huaja; dhe
– Mediat.
Afatet për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve janë si në vijim:
27 gusht – 27 shtator: Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve
27 gusht – 1 tetor: Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave
Për më shumë informacione ju lutem vizitojeni ueb faqen e KQZ-së dhe Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) në KQZ. Formularët mund t’i merrni në ueb faqen e KQZ-së.
– Vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ-ja mund t’i vëzhgojnë këto zgjedhje dhe
– Aplikacionet e pranuara në e-mail konsiderohen në raste të aplikimit nga jashtë Republikës së Kosovës.