Komisioni Shtetëror i Maturës ka publikuar sot rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore të afatit të parë. Sipas këtyre të dhënave, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 67.44 për qind.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Arsimit.
“Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka bërë publike sot rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020 (afati i parë), sipas të cilave rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 67.44 për qind. Prej këtij rezultati, 67.38 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 77.32 për qind në gjuhën boshnjake dhe 62.44 në gjuhën turke”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se në test kanë marrë pjesë 25 mijë e 362 nxënës.
“Në test kanë marrë pjesë 25.362 nxënës, nga 26.699 që e kanë paraqitur testin, prej të cilëve 17.105 e kanë kaluar testin, ndërsa për 8.257 maturantë do të mbetet si mundësi edhe afati i dytë i Provimit të Maturës”, thekson njoftimi.
Ndërkohë, kryetari i KShM’së, Gëzim Berisha, ka treguar se janë 63 maturantë, të cilëve iu është anuluar testi, për shkak se kanë tentuar të përdorin telefonin, ndërsa nuk ka pasur parregullsi që do ta dëmtonin procesin.
“KShM ka bërë të ditur se të gjithë ata maturantë, të cilët konsiderojnë se iu është bërë ndonjë e padrejtë me rastin e vlerësimit, afati i ankesës është 3 ditë dhe kjo drejtë ushtrohet në shkolla, respektivisht në drejtoritë komunale të arsimit”, bëhet e ditur në njoftim.