Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në kuadër të projektit “Fuqizimi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – Rrugëtimi vazhdon”, i financuar nga zyra e UNICEF në Kosovë ka bërë publikimin e dokumentit “Fëmijëria pa dhunë, një e drejtë themelore”.
Melita Kabashi, përfaqësue e Save the Children si dhe anëtare në KOMF, tha se të gjithë akterët së bashku duhët të punojnë në ndalim të dhunës ndaj fëmijëve.
“Për më shumë edhe me koalicionin edhe organizatat e tjera vendore që janë UNICEF, ATRC, janë duke punuar edhe në aspektin e legjislacionit, ku përmes projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve. Jemi të përkushtuar që ta ndalojmë ndëshkimin trupor në të gjitha ambientet duke marrë parasysh që ende nuk është i ndaluar. Për disiplinën pozitive, ëshë programi i vetëm në Kosovë që ofrohet dhe e veçantë e këtij programi është se përmbledh grupmoshën nga 0-18 vjet dhe është një program i cili ka për bazë hulumtime të shumëta për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës, ka për bazë hulumtime të shumëta për një riprindërim efektiv, por gjithashtu e ka për bazë edhe parimet themelore të të drejtave së fëmijës. Ne, bashkë me ju si dhe akterë të tjerë duhet të punojmë drejt ndalimit të dhunës, drejt ndalimit të ndëshkimit trupor në mënyrë që secili fëmijë në Kosovë të jetojë një jetë pa dhunë”, ka thënë Kabashi.
Ndërsa aktorja, Leze Qena, tha se abuzimet sidomos me fëmijët janë kriminale për të.
“I kisha lutur nënat sidomos nënat e reja që të zvogëlojnë zërin, të flasin më zë më të ulët kur e kritikojnë fëmiun. Abuzimet për mua nuk ka në jetë gjë më të keqe, ma kriminale se abuzimi ndaj njeriut e lëre më ndaj fëmijëve”, tha Qena.
Ky dokument është hartuar në kuadër të Grupit Tematik për Mirëqenie dhe Mbrojtje të Fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
Dokumenti ofron një pasqyrë të disa prej fushave kryesore që duhet të merren parasysh në zhvillimin dhe zbatimin e politikave.
Dokumenti paraqet të dhënat për shkaqet dhe pasojat e dhunës ndaj fëmijëve,mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në Kosovë, shërbimet, faktorët, perceptimet dhe qëndrimet e fëmijëve rreth dhunës.
“Rekomandimet të cilat ofron dokumenti janë:
Rekomandohet fuqishëm vetëdijësimi në nivel nacional drejtuar popullatës së gjerë dhe institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve, për të promovuar metodat pozitive të prindërimit dhe disiplinimit dhe për të eleminuar metodat e dhunshme të disiplinimit dhe ndëshkimit trupor.
Rekomandohet që Kosova në nivel nacional të nisë me trajnime dhe fushata vetëdijësimi për t’i përkujtuar zyrtarëve shtetëror dhe profesionistëve për detyrën e tyre për të raportuar rastet e dhunës së dyshuar ndaj fëmijëve.
Zhvillimi i programeve të prindërimit të disiplinës pozitive për prindërit, kujdestarët dhe profesionistët që punojnë në mbrojtje të fëmijëve, për të zvogluar praktikat e dhunshme për disiplinimin dhe mirërritjen e fëmijëve, duke krijuar një brez të ri gjeneratash jo të dhunshëm.
Fuqizimi i zbatimit të politikave dhe ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Ofrimi i shëbimeve dhe mbështetjes për fëmijët viktima të dhunës dhe familjeve të tyre, si dhe ndëshkimi i kryrësve të dhunës. Shërbime të tilla ndihmojnë fëmijët të përballen me situatën e tyre, dhe gjithashtu të thyejnë ciklin e abuzimit dhe të zvogëlojë dëmin e mëtejshëm.
Rekomandohet nxitja dhe promovimi i raportimit mes bashkëmoshatarëve dhe i vetë raportimit, përmes aktiviteteve vetëdijësuese mes fëmijëve. Gjithashtu në kuadër të rritjes së vetë raportimit dhe raportimit mes bashkëmoshatarëve, rekomandohet krijimi i një linje të re telefonike pa pagesë, të dizajnuar me dhe për fëmijët. Në anën tjetër rekomandohen aktivitete ndërgjegjësuese mbi dhunën të cilat do tu mundësonin fëmijëve të njohin llojet e dhunës duke përfshirë formën më të vrazhdë të saj abuzimin seksual, dhe të shmangin situatat potencialisht të rrezikshme.
Rekomandohet krijimi i standardeve financiare për shërbimet sociale dhe për të miratuar buxhetet që mundësojnë financimin e qëndrueshëm të shërbimeve të financuara përmes MPMS dhe Komunave.
Rekomandohet ndalimi i ndëshkimit trupor me ligj, në të gjitha ambientet ku fëmija zhvillon ekzistencën e tij”, thuhet në komunikatën e KOMF-it.