Publikohet letra, Kryesuesi i seancës konstituive i kërkon presidentes sugjerime për opsionet e mundshme përpara

Prishtinë | 16 Pri 2025 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Publikohet përmbajtja e letrës së kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që iu dërgua presidentes Vjosa Osmani, duke i kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme përpara.

“E nderuara Shkelqësia juaj, Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Ju drejtohem në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Republikes Kosovës për legjislaturën e IX-të. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, rendi i ditës për seancën e djeshme konstituive ishte:

– Formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve,

– Betimi i deputetëve,

-Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

– Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Lidhur me pikën e parë, për njoftimin tuaj, Raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, u votua me shumicë të votave në Komision, mirëpo si asnjëherë më parë, ky Raport, nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi.

Në pamundësi të votimit të raportit për verifikimin e mandateve, në cilësinë e Kryesuesit e kam ndërprerë seancën konstituive. Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara”, thuhet në letrën

e drejtuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që iu dërgua presidentes Osmani.

Më herët Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani, tha për Ekonomia Online se ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar këtë letër për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë.

Të ngjashme