“Aplikimi i jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kosovë”, theksohet rëndësia e anëtarësimit në KE

Prishtinë | 28 Maj 2025 | 14:59 | Nga Diellza Gashi

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO) organizuan tryezë të rrumbullakët me rastin e publikimit të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, theksoi rëndësinë që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili, siç tha, do të mundësonte ratifikimin e dhjetëra konventave dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirë edhe me shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Jam i sigurt që Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë është duke e ndihmuar Kosovën. I kam kushtuar rëndësi faktit që nëse Kosova do të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës do të kishim pasur mundësi që brenda vitit të parë pas anëtarësimit po të kishim institucione të konstituara: Kuvend dhe Qeveri, me dhjetëra konventa t’i ratifikojmë dhe t’i dërgojmë në Këshillin e Evropës për ratifikim. Kjo padyshim që do t’i mundësonte Kosovës që të kishte një rol shumë më të madh, qoftë në aspektin diplomatik ose në atë në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor në raste penale”, tha Miftaraj.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi si shtylla të demokracisë, duke vlerësuar përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të njeriut.

“Një nga shtyllat themelore të demokracisë është e drejta për qasje në drejtësi. Sundimi i ligjit nuk është thjesht një koncept juridik. Ai është themeli i çdo shoqërie demokratike. Ai siguron që qytetarët të mund t’u besojnë institucioneve për të mbrojtur të drejtat e tyre, për të zbatuar ligjet në mënyrë të drejtë dhe për të garantuar llogaridhënien. Ky parim qëndron në zemër të Këshillit të Evropës. Ne pamë se çfarë po bënte Këshilli i Evropës në videon e fuqishme që u transmetua.

Ne e kemi mbështetur këtë projekt të Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe partnerëve të tij, sepse përkushtimi i Kosovës ndaj të drejtave të njeriut dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut meriton inkurajim, ashtu edhe vëzhgim. Ky projekt i ofroi të dyja. Ka shumë gjetje inkurajuese. Parimi i seancave gjyqësore publike është respektuar në masë të madhe. Të drejtat gjuhësore të palëve janë respektuar dhe pothuajse të gjithë individët e përfshirë në procedura kanë pasur përfaqësim profesional ligjor. Gjykatësit po punojnë me përkushtim për të përmirësuar zbatimin e parimit të barazisë së palëve”, tha Rohde.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se rastet gjyqësore zgjasin mesatarisht 1.256 ditë në shkallë të parë, duke shtuar se shkelet e drejta për gjykim në afat të arsyeshëm kohor

“Nëse flasim për gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor, kjo vazhdon me qenë e drejta që më së shumti shkelet nga ana e gjyqësorit. Duhet theksuar një çështje: për nga ngarkesa që ka më lëndë gjyqësori, ai e ka të pamundur që të ofrojë drejtësi brenda një afati të arsyeshëm kohor”, tha Shala.

“Një çështje që e kemi analizuar në shkresat e avokatëve del se as avokatët nuk e aplikojnë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkundër faktit që është e qartë që obligimi bie mbi gjykatat. Sikurse ta aplikonin avokatët këtë jurisprudencë do ta obligonin gjykatën që të jepte përgjigje në kontekst të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mirëpo në rastet e analizuara, ne nuk kemi evidentuar ndonjë rast që shkresat e avokatëve, kundërshtimet e të tjerë kanë aplikuar jurisprudencat e kësaj gjykate”, shtoi Shala.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, theksoi se për më shumë se një dekadë sistemi gjyqësor nuk ka funksionuar normalisht dhe gjyqtarët duhet të përqendrohen në vendime që përputhen me praktikat evropiane.

“Secili prej gjyqtarëv e ka vëmendjen që vendimi i tij duhet të jetë në përputhje me Gjykatën Evropiane. Nëse e shohim edhe çështjen e kohëzgjatjes mund të themi se kemi vonesa brenda sistemit dhe bie ndesh me kërkesat e Gjykatës Evropiane. Pajtohem plotësisht tek zvarritja: kemi pasur një sistem që për 10 vjet nuk ka pasur funksionim normal. Mund të themi që sistemi nuk është në gjendjen më të mirë. Gjyqtarët duhet të fokusohen tek vendimarrjet dhe nuk duhet të ketë vendime që bien në ndesh me praktikat e Gjykatës Evropiane. Sa i përket çështjes së ndihmës juridike falas është çështje e ministrisë. Ajo çka u përmend: nëse e marrim periudhën 2018-2024 tregon mënyrën më të mirë të gjendjes në sistem. Shumica e lëndëve në gjykatë janë lëndë si rezultat i papërgjegjesisë së institucioneve të tjera”, tha Rexhepi.

Ndërsa, ushtruesi e detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ngriti shqetësimin për mungesën e buxhetit nga qeveria, duke thënë se rritja e numrit të gjyqtarëve nuk është përcjellë me rritje të numrit të prokurorëve.

Sipas tij, kjo po ndikon në cilësinë e përfaqësimit të prokurorisë në gjykata dhe në pamundësinë për të mbuluar të gjitha seancat gjyqësore.

” Një gjë që na shqetëson është çështja që qeveria nuk ndan buxhetin e kërkuar, që ne e shohim si të nevojshëm. Kohët e fundit është rritur numri i gjyqtarëve, por jo e prokurorëve, për shkak të buxhetit. Kemi një buxhet të harxhuar për numër të gjyqtarëve. Për fat të keq nuk kemi mundësi t’i mbulojmë të gjitha këto seanca. Ne si prokurorë nëse nuk mund të arrijmë këto veprime ligjore, atëherë cila është cilësia e përfaqësimit tonë në gjykata dhe në seanca”, tha Kelmendi.

Të ngjashme