Publikohet raporti global i UNFPA-së: Ka proges në shëndetin seksual dhe riprodhues në Evropë, por ende miliona njerëzve u mohohen zgjedhjet

Prishtinë | 17 Pri 2024 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Tridhjetë vite pas dakortësisë së komunitetit ndërkombëtar mbi një program
ambicioz për t’i vendosur shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese të njerëzve në qendër të
zhvillimit global, ende persistojnë disa pabarazi dhe miliona njerëz, kryesisht midis grupeve të
disavantazhuara të popullsisë, mbeten të përjashtuar nga progresi që kanë arritur të gjitha rajonet e
botës në përgjithësi.

Në këtë përfundim arrin raporti i UNFPA’s Gjendja e Popullsisë së Botës, i cili këtë vit analizon se sa larg
kanë shkuar vendet e botës, përfshirë rajonin Evropian, në zbatimin e Programit të Veprimit miratuar
nga Konferenca Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD) në Kajro në vitin 1994.

“Gjetjet e raportit tregojnë se shumë njerëz nuk kanë përfituar nga ndërhyrjet e bëra për të siguruar që
gratë dhe të rinjtë të fuqizohen për të marrë vendime për trupin dhe shëndetin e tyre dhe të kenë akses
në shërbimet dhe informacionin që u nevojitet,” tha Florence Bauer, Drejtoresha Rajonale e UNFPA-së
për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

“Për të plotësuar këto boshllëqe, ne duhet t’i japim fund diskriminimit, ende të përhapur, të grave dhe
grupeve të tjera të pafavorizuara dhe stereotipeve, paragjykimeve dhe stigmës që e ushqejnë atë.”
Në Evropë, më pak gra vdesin duke lindur, më pak adoleshente lindin fëmijë dhe më pak gra përballen
me mungesën apo aksesin në kontraceptivë, sipas raportit:

Vdekshmëria amtare pothuajse u përgjysmua nga një mesatare prej 22 në 12 vdekje për 100,000
lindje të gjalla midis viteve 2000 dhe 2020.


Shkalla e lindjeve tek adoleshentët ra me gati 50 për qind nga një mesatare prej 20.3 në 12.6 lindje për
1000 gra të moshës 15 deri në 19 vjeç midis viteve 2000 dhe 2020.

Përqindja e grave në moshë riprodhuese që kanë plotësuar nevojat e tyre për planifikim familjar me
metoda moderne u rrit nga një vlerë mesatare prej 66.7 për qind në 2000, në 75.9 në 2022.
Por raporti i Gjendjes së Popullsisë së Botës thekson gjithashtu se progresi është ngadalësuar në disa
fusha, apo edhe është kthyer mbrapsht dhe se më të pasurit dhe të privilegjuarit, në përgjithësi, kanë
parë përfitime shumë më të mëdha se më pak të pasurit.
Progresi në reduktimin e vdekshmërisë amtare është ngadalësuar në rajonin e gjerë Evropian dhe ka
pasur një rritje të vdekjeve amtare midis 2015 dhe 2020 në 18 nga 52 vendet më të dhëna.

Përdorimi i kontraceptivëve modernë mbetet jashtëzakonisht i ulët në pjesën e Evropës Lindore dhe
Azisë Qendrore. Në 5 vende, më shumë se gjysma e grave nuk përdorin asnjë formë kontracepsioni.
1 në 4 gra në moshë riprodhuese nuk mund të ushtrojnë autonomi në marrjen e vendimeve për trupin
dhe shëndetin e tyre.

160,000 njerëz u infektuan rishtazi me HIV në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në vitin 2022, një
rritje prej 49 për qind që nga viti 2010 dhe rritja më e madhe nga çdo rajon në botë gjatë kësaj periudhe.
Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara kanë deri në 10 herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë me
bazë gjinore, duke përfshirë dhunën seksuale.
Përqindja e individëve që besojnë se është e justifikueshme që një burrë të rrahë gruan e tij është
rritur me kalimin e kohës në gjysmën e vendeve të rajonit, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Të dhënat dhe analiza nga 25 vende në mbarë botën tregojnë se barrierat ndaj kujdesit shëndetësor
kanë rënë më shpejt për gratë me status më të lartë social-ekonomik dhe më pak për ato që i përkasin
grupeve të pafavorizuara. Në Shqipëri, për shembull, përfitimet në aksesin në kujdesin shëndetësor kanë
qenë më të shpejta për segmentet më të pasura se më të varfra të shoqërisë dhe më të theksuara për
popullsinë e gjerë sesa për grupet minoritare si romët.
“Miliona njerëz në këtë rajon pengohen për të përmbushur potencialin e tyre nga forma shpesh të
mbivendosura të diskriminimit dhe margjinalizimit,” – tha znj. Bauer. “Heqja e këtyre barrierave nuk
është vetëm një imperativ i të drejtave të njeriut, por thelbësor për vendosjen e vendeve në një pozitë
më të mirë për t’u marrë me ndryshimet demografike me të cilat po përballen”.
Në shumë vende të rajonit që po përjetojnë nivele të ulëta të lindjeve dhe, gjithnjë e më shumë, rënie të
popullsisë, masat për integrimin më të mirë të grave, pakicave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara
në ekonomi dhe në jetën publike po bëhen gjithnjë e më e rëndësishme.

UNFPA mbështet vendet në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore për forcimin e qëndrueshmërisë së
tyre ndaj ndryshimeve demografike, duke përfshirë investimet në kapitalin njerëzor dhe përfshirjen më
të madhe të komuniteteve të margjinalizuara.


Të ngjashme