Kinematografia kosovare gjatë viteve të fundit ka shënuar disa suksese ndërkombëtare, duke sjellë kështu në Kosovë çmime të rëndësishme. Shumë festivale të kategorisë “A” kanë hapur dyert për filmat e prodhuar nga filmbërësit kosovarë. Vlen të përmenden këtu tituj filmash, si: “Tri dritare e një varje”, “Babai”, “Shok”, “Martesa” e të tjetër të cilët e morën vëmendjen e jurive, si dhe të publikut ndërkombëtar. Ky sukses jashtë kufijve ka bërë që interesimi i publikut të Kosovës për t’i përcjellë këta filma të jetë i madh. Gjatë fundjavës që lamë pas katër filma të prodhuar nga kosovarët u shfaqen në Prishtinë. Kjo u bë e mundur falë Festivalit të Filmit Frankofon, i cili ndërfuti në programin e vet filmat “Martesa” të Blerta Zeqirit, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit, “T’padashtun” të Edon Rizvanollit, si dhe “Gardhi” të Lendita Zeqirajt. Në të katërta shfaqjet interesimi nga publiku nuk mungoi. Publiku ngeli i emocionuar pas shfaqjes së filmit “Home Sweet Home” të shtunën në kinemanë “ABC” duke qenë se ky film trajton një temë e cila lidhet me luftën e fundit në Kosovë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Nehat Zeka, njëri nga shikuesit e pranishëm, tha për “Zërin” se filmat si ky duhet të shfaqen sa më shpesh në çdo komunë të Kosovës.
“Më kanë folur mirë për këtë film, prandaj vendosa të vij ta shikoj. Nuk është se po kemi shumë mundësi t’i përcjellim këta filmat që po prodhohen në Kosovë sepse rrallë janë nëpër kinema, por ky film mendoj se duhet të shfaqet në çdo qytet e fshat të Kosovës. E di që shpesh thonë që ne po bëjmë shumë filma për luftën, por kjo është një temë e cila nuk harxhohet asnjëherë. I përgëzoj ata që kanë punuar për këtë film e që përmes filmit po na e kuptojnë se si vërtet i kemi degraduar disa vlera të asaj lufte që s’e kemi paguar lirë”, tha Zeka për filmin që trajton historinë e një ish-ushtari të UÇK-së, i cili dihej si i vdekur, por kthehet disa vjet pas luftës dhe e kupton se sa shumë gjëra jokorrekte po bëhen në emër të veteranëve të luftës.
I kënaqur publiku u nda edhe nga filmi “T’padashtun” i regjisorit Edon Rizvanolli, që pati premierën në një nga festivalet më të mira të filmit në botë “Karovy Vary”. Filmi “T’ padashtun” është dramë, e cila merret me pasojat dhe me traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton marrëdhënien e një adoleshenti, i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Hana Menxhiqi kishte ardhur në kinemanë “ABC” për ta shikuar këtë film për herë të dytë edhe pse e kishe shikuar një herë para disa muajsh në “Cineplexx”, të Prishtinës. “Më ka lënë përshtypje shumë herën e parë. Sot erdha sërish dhe me vete mora edhe nënën time. Mendoj që është mirë të reflektojmë për tema të tilla, siç janë marrëdhëniet prind-fëmijë pas një përjetimi të tmerrshëm siç është lufta”, u shpreh Menxhiqi.
Përveç filmave të përzgjedhur nga Festivali i Filmit Frankofon këto javë në Prishtinë po shfaqet edhe komedia “Diamanti” nga regjisori Genc Berisha. Rrjeti i kinemasë austriake në Prishtinë “Cineplexx” po e jep në disa orare filmin në të cilin luajnë aktorët Armend Baloku, Besart Sllamniku, Luan Jaha, Edona Reshitaj e të tjerë.
Në këtë kinema në fund të kësaj jave vjen edhe premiera kosovare e filmit “Nëntori i ftohtë”, i regjisorit Ismet Sijarina. Ky film vjen në Prishtinë pas një rrugëtimi të suksesshëm nëpër disa festivale. Me aktorin Kushtrim Hoxha në rolin kryesor filmi i Sijarinës na çon në vitet e ’90-ta në Kosovë dhe flet për një arkivist në ndërmarrje shtetërore, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm.