Me rastin e Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2022 – Tregime dhe Mite”, të cilat prezantojnë traditat popullore, si trashëgimi gojore nëpër kohëra të përcjella nga njëri brez te tjetri.
“Skulptura e trishtë e një gruaje paraqet legjendën e Rozafës, e cila u sakrifikua që kalaja të qëndronte, e të mos prishej në vazhdimësi. Kërkesa e saj për t’ia lënë gjysmën e trupit jashtë murit të kalasë që ta ushqente dhe të kujdesej për fëmijën e vogël, është pikërisht ajo që e bëri të veçantë këtë kala. Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara fshatarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, krahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka. Gogomeli vihej për të pasur prodhime të mbara, por edhe për të trembur dëmtuesit e të mbjellave. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Coli (Picar) etj”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
“Ndërsa, pamja e bllokut paraqet mitin për shkundjen e plakave. Sipas gojëdhënave, një plakë kishte shkuar në mal me bagëti për ta shijuar motin e mirë e të ngrohtë, me diell të pranverës së hershme. Ajo po përshëndetej me dimrin, kur dimri kishte kërkuar ditë hua nga shkurti, për ta ngrirë plakën që po e ngacmonte. Kështu që nga ajo kohë e hershme akoma buron ujë nga shkëmbi në formë të një plake, për të cilin thuhet se janë “lotët e plakës”. Posta e Kosovës, përmes këtyre pullave postare të Filatelisë së saj, prezanton me krenari para botës trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë, si dhe promovon Republikën e Kosovës”.