Më në fund Federata e Boksit e Kosovës (FboxK) ia ka hapur dyert legjendës së boksit Aziz Salihut.
Ky i fundit prej vitesh është ankuar se është lënë jashtë shtëpisë së boksit dhe çdo organizate tjetër sportive dhe se e kishte të pamundur të kontribuojë në interes të suksesit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Por, jo vetëm kaq. Duke mbetur krejtësisht jashtë sportit, Salihu ankohej se e kishte të pamundur ta siguronte një mirëqenie sociale, pasi nuk kishte kurrkah të ardhura financiare.
Para pak muajsh ai ishte i sëmurë, por ishte shëruar në Turqi dhe kur shëndeti i tij u përmirësua u është kthyer kërkesave për angazhim në FboxK ose në Komitet Olimpik të Kosovës (KOK).
Por, është shtëpia e boksit ajo që ia hapi dyert sportistit të shekullit. FboxK-ja ka vendosur t’ia japë një pozitë Salihut.
Detyra të cilën do ta kryejë “Zizi” ende nuk është zyrtarizuar, por punësimi i tij në FboxK është konfirmuar.
“Bordi i FboxK-së njëzëri pranoi që z. Aziz Salihu të emërohet në ndonjë pozitë në FboxK”, thuhet në një njoftim të Federatës.
Aziz Salihu ishte i pranishëm në këtë mbledhje të bordit të FboxK-së, bashkë me udhëheqësit e saj, kryetarin Ramadan Selimi, sekretarin Mehmet Bogujevci dhe të tjerët, të cilët shpeshherë i ka akuzuar për “kapje” të Federatës dhe lënien e tij jashtë saj.