Pas ndërprerjes së shërbimeve për tatimpaguesit për tri orë për shkak të grevës, Sindikata e punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka përfunduar grevën, raporton Ekonomia Online.
Arlinda Bajra sekretare e Sindikatës, ka prezantuar tri kërkesa kryesore të cilat edhe janë dërguar në ministri të Financave.
Supas Bajrës nga këto kërkesa më me urgjencë kërkohet krijimi i një ambienti të përshtatshëm të punës.
“Ju kemi njoftuar edhe paraprakisht që sot kemi vazhduar grevën e pezulluar të muajit maj. Arsyet për këtë grevë janë bërë të ditura edhe paraprakisht. Për shkak të procedurave kemi dhënë një afat prej 30 ditësh për ministrinë për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të kërkesave tona”.
“Kërkesat janë paraqit edhe përmes shkresave me shkrim që janë dërguar disa herë në ministri, ku kanë qenë krijimi i kushteve të punës, propozim ndryshimi i statusit të ATK-së dhe kompensimet tjera për zyrtarët”.
Tutja ajo ka njoftuar se greva është respektuar në të gjitha regjionet e ATK-së, raporton EO.
“Greva ka filluar sot në ora 09:00 deri në ora 12:00, do të vazhdojë fillimisht kështu. Është mbajt në të gjitha regjionet e ATK-së dhe është respektuar pothuasje 100 për qind. Për ndryshimet tjera jemi në kontakt”.