Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës kanë pezulluar grevën që e nisën më 14 korrik të këtij viti, raporton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur, përfaqësuesja e Sindikatës së Punëtorëve të ATK-së, Arlinda Bajraj, në një konferencë për medie.
“Faleminderit për bashkëpunimin tuaj gjatë procesit të grevës. Administrata tashmë i ka përmbyllur tri javë grevë, nga data 14 korrik deri më 2 gusht. Sot është pezulluar përkohësisht greva. Vendimi për grevën ka ardhur nga shumica me votim të kryesisë së sindikatës, shumica prej tyre janë dakorduar që greva të pezullohet deri më datë 31 tetor 2021” është shprehur ajo.
Sipas Bajrajt ky pezullim i grevës së tyre është bërë me qëllim të reflektimit nga ana e institucioneve për realizim të kërkesave të tyre.
“Pezullim ky që sipas disa analizave të jemi transparente me tatimpaguesit qe mos tu bllokohet aktivitetet apo obligimet që kanë ndaj shtetit. Po ashtu ky vendim ka ardhur që me ju dhënë një mundësi që të kryhen apo të realizohen kërkesat tona që i kemi parashtruar tash e 1 vit e gjysmë si sindikatë” ka shtuar ajo.
Po ashtu Bajraj ka theksuar se janë të gatshëm të ofrohen për bashkëbisedim me institucionet përkatëse për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
“Ne jemi të gatshëm për çfarëdo diskutimi apo mundësie marrëveshjeje rreth kërkesave tona. Jemi të gatshëm që të ulemi të bisedojmë rreth kërkesave tona me institucionet kompetente për zgjidhje të kërkesave tona” ka përfunduar ajo.
Kërkesa kryesore e punëtorëve të këtij institucioni ishte gjetja e një zgjidhje për një objekt të përshtatshëm ku mund të zhvillojnë veprimtarinë e tyre të përditshëm.