Kompania për distribuim dhe shpërndarje të energjisë elektrike (KEDS) ka përjashtuar 95 punëtorë nga vendet e punës.
Disa punëtore të kësaj kompanie kanë reaguar duke thënë se u është bërë e padrejtë largimi nga puna, pasi që siç thonë kanë qenë me kontrata pune të përhershme.
Ndërsa zyrtarët e KEDS-it theksojnë se në mënyrë që të përmirësojë dhe rrisë efiçiencën e operimeve, çdo kompani e përgjegjshme bën rishikime dhe reforma brenda organizatës.
Makfire Bejta-Neziri, ka thënë se në KEK ka punuar nga viti 1982 dhe sipas saj, shumica e punëtorëve kanë qenë me kontrata të përhershme të punës.
“Unë përndryshe kam punuar që nga viti 1982, që atëherë kam qenë punëtore e Zyrës së informimit në fillim në KEK, pastaj na kanë bartur në KEDS. Deri para rastit që na kanë lënë pa vende të punës një kohë kam qenë gazetare, pastaj e kam bërë monitorimin e medieve se çka është shënuar për KEK-un dhe KEDS-in… Jam mbajtëse e familjes jam e varur prej kësaj rroge, unë kisha kërkuar prej kujt do qoftë një përgjigje. Nga me ja mbajt në këtë moshë a më merr mu dikush në punë…”, është shprehur ajo.
Ndërsa, Ajshe Gashi, ka theksuar se po shuhet departamenti ku kanë punuar, ndërsa kompania KEDS ua ka ofruar tetë paga si kompensim.
“I kam 39 vjet stazh pune në KEK, qe tri vjet jam me KEDS-in. Jemi 12 femra që kemi mbetur pa punë. E kanë gjetur këtë formulë, e kanë shuar Departamentin dhe na kanë dëbuar 95 persona… Nuk do të ndalemi së protestuari për të shprehur revoltën tonë, ka thënë ajo.
Fatime Zeka-Krasniqi, ka shprehur revoltën e saj duke thënë se ky është krimi më i madh që mund të ndodhë njeriut.
“Njeriut kur ja merr punën më mirë merrja jetën. Një koleg i joni ka tentuar të bëjë vetëvrasje kur e ka kuptuar lajmin për largim. Policia ka ardhur dhe ka theksuar se nuk ka ndodhë asgjë, e ka mbyllur rastin”, ka thënë ajo.
Viktor Buzhala nga Zyra për Informim e KEDS-it nëpërmjet postës elektronike ka thënë për Ekonomia Online se KEDS/KESCO është kompani e Kosovës dhe i nënshtrohet ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës. Ndërsa, sa i përket çështjes së Marrëveshjes Kolektive, ai ka thënë se nuk janë anëtarë të organizatave që e kanë nënshkruar atë dhe sipas tij, zbatimi i kësaj marrëveshje është shtyrë në tërësi.
Ai ka shtuar se në mënyrë që të përmirësojë dhe rrisë efiçiencën e operimeve, çdo kompani e përgjegjshme bën rishikime dhe reforma brenda organizatës.
“Kjo është edhe më e rëndësishme për kompanitë që ofrojnë shërbime, sidomos ato publike siç është energjia elektrike që janë të lidhura direkt me pagesën e faturave që konsumatorët duhet të paguajnë”.
“KEDS/KESCO janë punëdhënës i përgjegjshëm dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me sindikatat në ndërmarrjen e këtyre veprimeve. Në saje të këtij bashkëpunimi ne kemi përgatitur oferta të ndryshme për punëtorët, si pjesë e angazhimit për rritje të efiçiencës dhe ata mund të bëjnë zgjedhjen e tyre”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
“KEDS/KESCO është kompani e Kosovës dhe i nënshtrohet ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës. Sa i përket çështjes së Marrëveshjes Kolektive, ne nuk jemi anëtarë të organizatave që e kanë nënshkruar atë. Zbatimi i kësaj marrëveshje është shtyrë në tërësi. Për më tepër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka përsëritur për publikun se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e nënshkruar në vitin 2014 nuk është e bazuar në legjislacionin aktual të punës dhe si e tillë nuk është ligjërisht e detyrueshme dhe aplikueshme nga ndërmarrjet në Kosovë”, ka thënë Buzhala për Ekonomia Online.