Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar futjen e tyre në Ligjin për Pagat, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësues i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se vendimet e institucioneve qendrore kanë bë që të dalin në protestë.
Ai ka sqaruar se iu është garantuar që nuk do të bëhen pjesë e Ligjit.
“Sot një vit patëm kërkesë modeste për ngritjen e pagave, tani Qeveria bashkë me Parlamentin dhe institucionet relevante na detyrojnë të protestojmë për ruajtjen e mirëqenies tonë duke na futur në Ligjin e Pagave nuk ka vend në botë që kompani të tillë si KEK hyn në Ligj të Pagave”.
“U kemi bërë shkresë ministrave që të na bëjnë interpretimin e ligjit sepse kryetari i komisionit parlamentar tha se kompanitë që financohen vetë nuk hyjnë në ligj, por aty shkruan diçka tjetër, gjitha ndërmarrjet publike me kapital shtero 50% hyn në ligj”.
“KEK është kompania më e fuqishme në Kosovë falë angazhimit të punëtorëve, Qeveria në vend se të i stimuloj punëtorët bën të kundërtën, me vjen keq që edhe secilit duhet me i ardhur keq për ketë turp që po na bëjnë”.
Llumnica i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos e dekretojë këtë ligj.
Madje ai ka paralajmëruar se do të hyjnë në grevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.
“I bëjmë thirrje presidentit mos ta dekretoj këtë ligj në amendamentet ku përfshihet korporata e KEK, i bëjmë thirrje Qeverisë e Parlament me rishqyrtuar këtë ligj”.
“Ne nuk do të rrimë të qetë, nuk do të lejojmë të jemi në këtë Ligj për Pagat nuk meritojmë të jemi këtu, nëse nuk na u plotësohen kërkesat ne do vazhdojmë të protestojmë e të jemi në grevë deri në realizimin e kërkesave”.
Kryetari i Sindikatës së KOSST-it, Adem Gashi tha se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave.
“I tha parafolësi im nuk kam çfarë të shtoj, por e përkrahim në plotësi deri në realizimin e kërkesave, nuk do ndalemi”, tha Ademi.
Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lami Balaj, ka paralajmëruar edhe se do të bojkotojnë punën e do të mbyllin dyert e objekteve të ndërmarrje ku punojnë.
“Në jemi bashkë si tri ndërmarrje publike duke përfshirë Postën që të mos na nënçmojnë, njerëzit që kanë dhënë kontribut për buxhetin e Kosovës, këto korporata publike të popullit janë ato që kanë mbush buxhetin. Bëjnë edhe tani”.
“Ju bëj thirrje atyre që janë në shtet mos na bini në gjendje që pas kësaj proteste me i mbyll dyert e objekteve tona e me dal në protestë jemi dal me paralajmërua këtë protestë sepse ende nuk e keni pa fuqinë e këtyre ndërmarrjeve”.
“Mos na bini në rrugë sepse nuk duam as ne si udhëheqës e si punëtor me dal në rrugë, mos bëni gabime me na qit në mënyrën më të keqe ne rrugë sepse dikush kënaqet që na sheh në rrugë, por kur dalim në rrugë përnjëmend nuk do të iu bien mirë atyre”.
Kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini, ka kërkuar që të marrë masa menjëherë për realizimin e kërkesave të tyre.
“Ne kërkojmë të rregullohen punët sipas marrëveshjes që themelet të ndërtohen të shtetit tonë një herë e përgjithmonë”.
“Punëtor ne nuk kërkojmë lëmoshë, por djersën tonë dhe atë nuk ua japim individëve, por nëse ka nevojë do ja japim vendit”.
“Kemi qenë dhe jemi për me mbrojt vendin, por jo me abuzuar me neve, kemi qenë prijës për mbrojtje dhe zhvillim të vendit”.
“Çdo vendim i cili do merret duhet të vij në mesin e punëtorëve ose duhet të thërrasin përfaqësuesit e punëtorëve për çfarëdo lloj situate”.
“Kërkoj Qeveria me marr masa menjëherë për realizimin e kërkesave të punëtorëve pa dallim të sektorëve”.
Pakënaqësi me Ligjin për Paga ka pasur edhe nga shërbyesit civilë, kontrollorët ajrorë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës të cilët protestuan sot.