Punëtorët e Lotarisë së Kosovës, do të protestojnë ditën e hënë (1 korrik) duke filluar nga ora 11:00, para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e bërë për media nga Sindikata e Lotarisë së Kosovës thuhet se, punëtorët janë të shqetësuar se deri tani nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
“Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.
Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar. Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave.
Protesta do të mbahet të hënën me datë 01 korrik 2019 në ora 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të miratimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës”.
Sindikata njofton se, protesta e paralajmëruar është e para dhe do të vazhdohet të protestohet deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.