Këshilli Organizativ i Protestës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se nga sot do të jenë në grevë, raporton Ekonomia Online.
Greva mbahet për të kundërshtuar vendimin e ministrit në detyrë të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, që objekti i MKRS-së t’i jepet Presidencës.
Udhëheqësi i divizionit për hartim dhe harmonizim të legjislacionit, Bislim Bislimi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se greva ka filluar dhe ajo do të vazhdojë deri në tërheqjen e këtij vendimi.
“Ne kemi njoftuar opinionin se nga dita e sotme stafi i të punësuarve në MKRS do të fillojë grevën e përgjithshme në vendin e punës dhe do të ndërpriten të gjitha shërbimet administrative për të cilat është përgjegjëse trupa e të punësuarve në MKRS-së. Greva ka filluar në të gjithë njësitë e zyrtarëve të MKRS-së dhe greva ka filluar nga zyrtarët të gjithë që e kanë nënshkruar listën e pëlqimit për fillimi të grevës dhe natyrisht që ka edhe disa zyrtar që nuk kanë filluar me grevën mirëpo siç dihet administrata është një sistem i ndërtuar mbi parimin e hierarkisë dhe një hallkë nëse nuk funksionon atëherë pamundësohet mosfunksionimi i MKRS-së”.
Ai thotë që greva do të ketë dëme në funksionimin e Ministrisë, në përmbushjen e obligimeve kontraktuale që ka ministria karshi shumë operatorëve ekonomikë.
“Greva do të ketë dëme të pashmangshme në funksionimin e Ministrisë në përmbushjen e obligimeve kontraktuale që ka ministria me shumë operatorë ekonomik dhe në raport me individ. Ministri Yagcilar nuk ka më kompetenca dhe imunitet funksional që të merr vendime që kanë implikime milionëshe në këtë periudhë të transzicionit të qeverive. Po greva do të vazhdoj edhe ditëve tjera dhe deri në momentin e tërheqjes së vendimit mbrapa”.
“Kemi pasë një takim me këshilltarin sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë dhe e kemi njoftuar për momentin e fillimit dhe e kemi informuar që në grevë të punësuarit përfshihen me vullnet dhe nuk ekziston mundësi për të detyruar askënd që të përfshihen në grevë. Po ashtu kemi marr zotim nga sekretari i përgjithshëm se çfarëdo shfuqizimi ose anulimi që do të ndodhë përmes masës së përkohshme në gjykatë ndaj vendimit të Yagcilarit ai do të veproj sipas vendimeve të gjykatës”, thotë Bislimi.
Ai tha se do të ngritët kallëzim penal dhe padi në Gjykatën Themelore për konflikt administrativ.
“Do të ngrisim kallëzim penal për shkak se ka elemente të bollshme që një vendim i tillë është keqpërdorim i detyrës zyrtare nga ministri Yagcilar për shkak se ai ka ndërhyrë me një akt administrativ në një marrëdhënie juridike administrative që ka qenë e rregulluar me vendim të Qeverisë. Po ashtu ne rrugë administrative në Gjykatën Themelore do të ngrisim padi për konflikt administrativ të vendimit dhe me qëllim që të shfuqizohet ky vendim”, tha ai për Ekonomia Online.
“Ne nuk e kundërshtojmë se kush do të vendoset në këtë objekt po kundërshtojmë se vendosja e Presidencës në këtë objekt ka të bëjë me shpenzimin e parasë publike dhe keqpërdorim sepse lokacioni me të cilin gjendet ndërtesa e pamundëson me çfarëdo kriteri funksionimin e një institucioni si Presidenca që ka nivelin më të lartë protokollar të aktiviteteve dhe të delegacioneve të huaja”.
Bislimi tha se investimi 15 milionë eurosh për të akomoduar Presidencën në objektin e MKRS-së është keqpërdorim sepse një shumë 15 milionëshe është vlerë e lartë dhe me ato para siç tha ai mund të ndërtohet një objekt i ri i Presidencës.