Punëtorët e Postës së Kosovës kanë filluar grevën e përgjitshme në të gjitha regjionet, për shkak se ende nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit shtator.
Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të postës, tha për Ekonomia Online se ende asnjë pagë nuk është realizuar për këtë muaj deri sot.
“Sot kemi filluar me grevën e përgjithshme në të gjitha regjionet apo zyrat postare në Republikën e Kosovës, me kërkesa tona të drejta dhe legjitime, ku në komunikatën për shtyp drejtuar opinionit publik dhe qeverisë aksionare për menaxhime të bordit është realizimi i pagave për të gjithë punonjësit në postën e Kosovës, pasi që sot jemi me datën 10 shtator dhe ende asnjë pagë nuk është realizuar dhe një garancion që nuk do të përcjellet seriali i çdo muaji në mungesë të mjeteve për ekzekutimin e pagave si dhe kam kërkuar shërbime publike shtetërore me kërkesën kapitale inicimi për themelimin e post bankës në Kosovë”.
Hoti tha se shpreson që institucionet do t’i kryejnë obligimet ndaj Postës.
“Realisht kërkesa ime iu është drejtuar menaxhmentit, bordit dhe aksionarit pasi që është një vijë vertikale e hierarkisë shtetërore që shtrihet edhe në Postën e Kosovës, mirëpo duhet ta kemi parasysh se si jemi në një situatë konfuze, pasi që për bordin ka dalë konkursi, edhe 7 ditë bordi nuk ka mandat”.
“Ne gjithmonë shpresojmë në përgjigje pozitive, shpresojmë në vullnetin e institucioneve tona për të kryer detyrimin dhe obligimin ligjor që e ka ndaj Postës së Kosovës”, tha ai.
“Punëtorët të gjithë janë në punë sot, janë në grevë, nuk ofrojnë shërbime me të cilat me keqardhje njoftoj qytetarët që sot nuk mundemi të kryejmë shërbime për ta, besoj që do të hasim në mirëkuptimin e tyre”.
“Ligji parasheh shumë hapa sindikalë apo protestuese, do të shkojmë deri në fund në realizimin e kërkesave tona, do dalim edhe në rrugë, do të hyjmë edhe në grevë, do të protestojmë, do demonstrojmë për të drejtat tona”, tha ai.
Hoti bëri të ditur se i ka bërë ftesë kryeministrit Haradinaj që të shkojë në postë dhe që së bashku ta gjëjnë një rrugëdalje nga gjendja e krijuar.
“Kjo është një protestë sensibilizuese me sensibilizu aksionarin që punëtorët e Postës së Kosovës e kanë një hall dhe zgjidhja është tek aksionari. Unë shpresoj shumë në vullnetin e kryeministrit që do të gjejë kohë dhe do merret me problemin e Postës së Kosovës . Gjithashtu përmes një mediumi i kam bërë ftesë publike kryeministrit Ramush Haradinaj që të vijë në postë dhe të analizojë gjendjen dhe ta gjejmë një rrugëzgjedhje të përbashkët”.
Albulena Paçarada, punonjëse e postës, shprehu keqardhje që nuk do të mund të kryejnë shërbime për konsumatorët, shkaku i mosplotësimit të kërkesave të punonjësve.
“Unë qëndroj prapa fjalëve të kryetarit të sindikatës, Etritit, po më vije keq prej konsumatorëve që nuk po mundemi me iu kryer shërbime, për shkak se kërkesat tona nuk i kanë plotësuar ende qeveritarët”, tha Paçarada.
“Ne do të vazhdojmë me grevë derisa të plotësohen kërkesat tona”, tha ajo.
Ajo shtoi se mosmarrja e pagës ndikon negativisht në familjen e saj.