Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, përmes një komunikate për media thotë se me shqetësim po e sheh procesin e vaksinimit të qytetarëve.
PRAK pohon se ditë më parë Kosova u furnizua me rreth 24 mijë doza të vaksinës Astra Zenca si donacion i mekanizmit COVAX, ku të parët që kishin të drejtë të qasen në ato vaksina ishin stafi shëndetësor, pa dallim moshe, sëmundje, niveli etj.
“Edhe pse stafi shëndetësor patën një të drejtë të tillë, një pjesë e madhe e tyre refuzuan të vaksinohen me vaksinën e lart-cekur, duke mos dhënë një shembull të mirë për qytetarët dhe duke mos u solidarizuar me kolegët e vet të cilët pa hezitim vendosën të marrin vaksina të tilla. Kjo prekë në esencë edhe etikën mjekësore dhe e vë në pikëpyetje epitetin “Hero” të cilin u’a dha shoqëria”, thuhet në reagim.
Më tej, PRAK thotë se përderisa ka mungesë të vaksinave, stafi shëndetësor po privilegjohet dhe se kjo sipas tyre është e pa drejtë.
“Me ardhjen e donacionit prej rreth 5000 vaksinave të PFIZER, Ministria e Shëndetësisë si radhë me prioritet për vaksinim me këtë vaksinë, prapë i pa ata që refuzuan të vaksionohen me Astra–Zeneca. Si është e mundur që Ministria e Shëndetësisë të lejoj një diskriminim të këtillë?! Përderisa Kosova ka mungesë masive të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë (të cilët po vdesin në mënyrë të vazhdueshme), të privilegjohet stafi shëndetësor në këtë mënyrë, është e pa drejtë, jo etike dhe jo humane”, thuhet tutje në reagim.
PRAK ka kërkuar që sa më shpejtë të vaksinohen të gjithë qytetarët.
“Ju bëjmë thirrje publike që, të gjithë ata punëtorë që kanë refuzuar të vaksinohen kur e kanë patur radhën, të vendosen në fund të listës së pritjes. Secili duhet të merr konsekuencat e veprimeve të veta!
Në anën tjetër, kërkojmë që sa më shpejtë të gjithë qytetarëve t’u jepet mundësia për t’u vaksinuar”.