Punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë nga java e parë e muajit shtator.
Kështu është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka theksuar se shkak i grevës janë pagat e ulëta.
“Ju njoftojmë se sot në takim me udhëheqjen e shoqatës sindikale të punëtorëve teknik që kryejnë shërbime ne objektin e Kuvendit te Kosovës u mor vendim, se nga java e parë e shtatorit këta punëtor do të hidhen në grevë për shkak të pagave të tyre të ulëta. Deri te kjo datë u shty për shkak të pushimeve vjetore të punëtorëve, dhe nga fillimi i shtatorit punëtorët deklarohen se më nuk do të punojnë fare, deri në rritjen e pagës 450 euro”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Azemi.
Ky njoftim i është dërguar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, sekretarit të Kuvendit Arben Loshi, drejtorit të Administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu dhe kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtjen e Kuvendit.