Për afro 10 orë një pjesë e banorëve të lagjes “Bregu i Diellit” kanë mbetur pa rrymë.
Shkak për këtë janë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrjetit elektrik në atë pjesë.
Qytetarët e kësaj lagjeje, duke mos dashur që të flasin para kamerës, janë ankuar për mosnjoftim nga ana e KEDS-it se do të ketë ndërprerje, raporton KOHA.
Por, zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Viktor Buzhala, ka thënë se ata janë njoftuar dy ditë më parë për këto punime. Punime të tilla ka thënë se po bëhen në lagje të ndryshme të Prishtinës.
Sipas tij, në “Breg të Diellit” po bëhet zëvendësimi i 30 transformatorëve dhe gjatë zëvendësimit të tyre do të ndërpritet energjia elektrike gjatë gjithë ditës.
Punimet në rrjetin elektrik në Prishtinë kanë filluar në pranverë të këtij viti dhe se shkaku i pandemisë ato do të zgjasin më shumë sesa që është planifikuar.
KEDS-i ka bërë të ditur se në kryeqytet do të investohen 17 milionë euro, që përfshijnë 90 për qind të rrjetit të tensionit të mesëm, prej nga përfitojnë mbi 90 mijë konsumatorë.