Materiali toksik i quajtur ‘Bisfenoli A’ është më i përhapuri në pothuajse të gjitha llogaritë fiskale në Serbi, krejt kjo për shkak se është më i lirë në prodhimin e letrës, transmeton Gazeta Metro.
Toksikologu Mexhit Musa mendon se ky material, që përdoret më shumë nga ndërmarrjet publike në Serbi, mund të ketë shkaktuar alergji tek zyrtarët e QNR-së.
“’Bisfenoli A’ aktualisht është një prej substancave më komerciale për prodhimin e letrave fiskale, zarfeve, shisheve të plastikës, kuponëve fiskalë etj.”, thotë për RTV Dukagjinin, Mexhit Musa.
Musa përmendi disa nga problemet shëndetësore që ky material mund të shkaktoj nëse bie në kontakt me lëkurën.
“’Bisfenoli A’ është një materie organike toksike e cila shkakton alergji të ndryshme në lëkurën e pacientit, marramendja dhe çfarë është më e keqja shkakton edhe rritjen e sheqerit në gjak si dhe probleme te fryti i nënave shtatzëna”, vijon Musa.
Sipas tij në vitin 2016 BE-ja kishte marrë vendim që ky material të hiqet nga përdorimi, përfundimisht në vitin 2020, mirëpo që shteti Serb akoma nuk e bënë këtë. Megjithatë thotë se nuk ka nevojë për panik.
“Mendoj se këto substanca avullohen me kohë dhe ato humbin edhe përmes sistemit të urinimit edhe lëkurës, pir shqetësimet janë shqetësime”, deklaroi më tej Mexhit Musa.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë indikacionet para flasin për një rast të shkaktuar qëllimisht.
“Indikacionet e para tregojnë për një veprimtari të qëllimtë. Më e mira është që të pritet ekspertiza edhe në aspektin toksikologjik por edhe në atë të marrjes së mostrave”, shprehet Nuredin Ibishi.
Të dielën disa zyrtarë të QNR-së, përderisa po verifikonin votat e ardhura nga Serbia, janë hospitalizuar, pasi nga kundërmimi i zarfeve kanë marrë alergji të ndryshme.