Brazili është vendi i dytë në botë më i prekur nga coronavirusi pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendi amerikano-latin vazhdon të raportojë rritje të numrit të rasteve dhe të vdekjeve nga Covid-19 ku deri më tani numëron më shumë se 2.4 milion të infektuar dhe më shumë se 87 mijë të vdekur.
Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro është kritikuar vazhdimisht për mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë, ndërsa tani punonjësit e kujdesit shëndetësor në Brazil i janë drejtuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare duke i kërkuar të hetojë qeverinë e Presidentit Jair Bolsonaro për krime kundër njerëzimit mbi mënyrën e trajtimit të pandemisë së coronavirusit.
Një ankim shoqëruar me prova nga sindikatat që përfaqësojnë më shumë se një milion punonjës të kujdesit shëndetësor është paraqitur në gjykatën me qendër në Hagë.
Sindikatat akuzojnë administratën e zotit Bolsonaro se “ka neglizhuar në mënyrë kriminale” situatën e krijuar nga pandemia lidhur me mënyrën se si e ka menaxhuar shpërthimin e COVID-19, duke vënë në rrezik jetët e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe publikut të gjerë.
Kujtojmë që Bolsonaro është përplasur vazhdimisht me disa guvernatorë të vendit për shkak të kundërshtimit që presidenti i Brazili bënte për të vendosur izolimin e vendit. Rreth tre javë më parë, Jair Bolsonaro rezultoi pozitiv me Covid-19.