Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur aktakuzat ndaj dy aktivistëve të Partisë Socialdemokrate, Gëzon Kastratit dhe Korab Korqës, si dhe ndaj aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Çlirim Gërbeshi. Të tre akuzoheshin për “përgatitje të veprës terroriste”.
Ndaj tyre aktakuza ishte ngritur në fund të vitit 2019, ndërsa të hënën, avokati Tomë Gashi, ka njoftuar se është aprovuar kërkesa e avokatëve për hedhje të aktakuzës ndaj tre aktivistëve. Të tre akuzoheshin për kohën sa ishin aktivistë të VV-së, me Kastratin e Korqën që kishin kaluar më pas në PSD.
Në aktvendimin që ka publikuar Gashi, thuhet se “dëshmitë (sendet) e mbledhura gjatë kontrollit të depos ‘28 Nëntor’, Prishtinë, me datë 01.09.2016 dhe të gjitha provat tjera që burojnë nga ato dëshmi – raportet dhe ekspertizat, në harmoni me nenin 249 paragraf 3 të Kodit të Procedurës Penale, shpallen prova të papranueshme dhe përjashtohen nga shkresat e lëndës, pasi që të njëjtat nuk janë siguruar në mënyrë të ligjshme nga ana e policisë dhe prokurorisë”.
Në kohën kur ishte ngritur aktakuza, Kastrati kishte thënë se ai dhe të tjerët akuzohen se “kinse kemi përgatitur 648 koktej molotovi që janë ‘gjetur’ në depon e VV-së”.