Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që mediat të jenë të kujdesshme në raportimet, krejt kjo pas qarkullimit të lajmeve se ShBA-ja ka ndërprerë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, ndërsa Ambasada Amerikane në Prishtinë në një përgjigje për media të etjen, kanë thënë se nuk ka një vendim të tillë.
Zyra për komunikim e Ambasadës i është referuar një deklarate të bërë më 30 gusht, ku thuhej: “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj. Jemi duke vazhduar të rishikojmë këtë çështje, dhe nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë kohë”.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë bërë thirrje që qeveria të ketë kujdese në raport me përdorimin e policisë, kjo pasi PK-ja mund të sanksionohet.
Deputeti i VV-së Enver Dugolli, ka thënë për Ekonomia Online se Policia e Kosovës ka bashkëpunim shumë të mirë edhe me ShBA-në edhe me shtetet partnere është policia më profesionale në rajon dhe më gjerë.
Ai ka thënë se Serbia dhe Rusia janë shumë të interesuar që përmes lajmeve të rrejshme të krijojnë opinione dhe paqartësi sa më shumë, për këtë ai ka bërë thirrje që të jemi të vëmendshëm në këtë drejtim.
“Ne po shohim gjithçka por po shohim më shumë fake news, dhe ky është një lajm i rrejshëm, nuk e di nga kush ka dalë por mund të them se nuk është e vërtetë fare. Policia e Kosovës ka bashkëpunim shumë të mirë edhe me ShBA-në edhe me shtetet partnere është policia më profesionale në rajon dhe më gjerë. Prandaj një lajm i tillë nuk është i vërtetë dhe prandaj nuk spekulojë me lajme të cilat nuk janë të vërteta”.
“Duhet edhe ne si qytetarë, shoqëri dhe media të jemi më të kujdesshëm dhe mos të lëshohemi në këto ujëra të turbullta që qarkullojnë. Ju e dini se Serbia dhe Rusia janë shumë të interesuar që përmes lajmeve të rrejshme të krijojnë opinione dhe paqartësi sa më shumë. Ne duhet të jemi të vëmendshëm në këtë drejtim. Policia e Kosovës është jashtëzakonisht në nivel edhe profesional edhe e motivuar. Është shumë më e fortë dhe për e përgatitur se çdoherë tjetër”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë për Ekonomia Online se pas deklarimeve të fundit ambasadorit të ShBA-së, qeveria duhet që të ketë kujdese në raport me përdorimin e policisë.
“Pas deklarimit të ambasadorit amerikan, asaj thënies epokale që na adresojë dhe mendoj se këtu duhet të shqyrtohen pozicionet politike qeverisë në raport me përdorimin e policisë. Policia e ka kompetencat dhe detyrat e veta dhe më urdhër operativ që marrin në bazë të situatës në terren. Ata janë garantuesit dhe reaguesit e parë edhe ligjshmërisë dhe i rendit. Në qoftë se është vlerësuar se policia për shkak të urdhrave politik ka tejkaluar kompetencat e veta. Apo ka devijuar nga misioni që ka të përshkruara me ligj, atëherë kjo masë do të ishte skandaloze dhe do të ishte shumë e dëmshme sepse është i vetmi institucion i kompletuar që janë bartur përmes planit të sinkronizimit vite për barë janë bartur të gjitha kompetencat”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk do të ishte e çuditshme që ShBA-ja ta ndërpriste bashkëpunimin me Policinë, kjo sipas tij, marr parasysh sjelljen e qeverisë Kurti.
“Fajet ekskluzivisht janë politike, edhe forca është e sanksionuar për shkak të veprimeve politike, në 52 ditshin e parë të Qeverinë Kurti 2, për shkak të tendencave për ta përdorur mjetet ushtarake dhe ushtrinë në çështje civile dhe revolta qytetare është sanksionuar ushtria nga blerja e armatimeve. Në Qeverinë Kurti 2 jemi përjashtuar nga ‘Defendër Europe 2023’ edhe pse po mundohet me kamufluar që i kemi kaluar të gjitha dhe u përjashtuam pikërisht nga komandanti amerikan. Faji është politikë sepse institucioni i ushtrisë ka përformuar në mënyrën më të shkëlqyer dhe krahasuar me të gjitha ushtritë tjera ka qenë më i miri, njëjtë është edhe Policia e Kosovës. Tani me ardhur në një situatë me u penalizuar nga SHBA është veçse faji i politikës dhe keqpërdorimi politike e të dyve institucioneve”, ka thënë ai.