Kryetarët e komunave të Kosovës kanë vendosur të mos e votojnë rishikimin e buxhetit për kornizën afatmesme të shpenzimeve e cila përfshin periudhën 2020/23
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook nga Asociacioni i Komunave të Kosovës në Facebook.
“Kryetarët e Komunave në takimin e sotëm me znj Hykmete Bajrami, Ministre e Financave dhe z.Goran Rakiç, Ministër i Pushtetit Lokal kanë vendosur që të mos e votojnë në Komisionin e Granteve rishikimin e buxheti në kuadër të rishikimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023 (KASH)”, thuhet në njoftim.
Sipas AKK’së, arsye për këtë janë shkurtimet buxhetore për vitin 2021 në raport me vitin 2020, në vlerë prej 32.95 milionë euro për komuna.
“Arsyeja kryesore është që Ministria e Financave ka paraparë shkurtime buxhetore për vitin 2021 në raport me vitin 2020 ne vlerë prej 32.95 milion euro për komuna. Me shkurtimin e buxheteve komunale do të ndërpriten shumë projekte kapitale të cilat do të ndikojnë në mos-përmirësimin e jetës së qytetarëve”, thekson njoftimi.
“Kryetarët njëzëri konstatuan që 32.95 milion euro mund të duken si shumë e vogël parash për nivelin qendror por këto mjete janë shumë për komunat. Kryetarët gjithashtu dhanë edhe alternativen sa i përket gjetjes së mjeteve për mbulimin e kësaj shume duke propozuar që dy apo tri projekte të ndërpriten në nivel qendror dhe që ato mjete të dedikohen për komuna”, njofton AKK.