Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar se rreth 1,000 anëtarë të personalit ushtarak dhe dhjetëra pjesëtarë tjerë të forcave ajrore janë tërhequr nga Siria në ditët e fundit.
Duke folur në një ceremoni për të diplomuarit ushtarakë në Kremlin më 28 qershor, Putin ka thënë se tërheqja është duke vazhduar.
“Trembëdhjetë aeroplanë, katërmbëdhjetë helikopterë dhe 1,140 persona anëtarë të stafit janë larguar nga Siria në ditët e fundit”, ka thënë Putin.
Rusia ka nisur një fushatë me bomba në Siri në shtator të vitit 2015, e cila është kthyer në favor të presidentit sirian, Bashar al-Assad në luftën civile shtatëvjeçare.
Putin kishte deklaruar për tërheqjen e trupave ruse nga Siria në mars të vitit 2016, mirëpo nga ajo kohë ka pasur pak shenja të zbatimit të vendimit.
Në muajin dhjetor, Putin sërish kishte urdhëruar tërheqje të pjesshme të forcave ruse, mirëpo nga ajo kohë luftimet janë zhvilluar në pjesë të ndryshme të territorit sirian.