Presidenti rus, Vladimir Putin ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke thënë se ky vendim mund ta “destabilizojë” Lindjen e Mesme.
Gjatë samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait, të mbajtur në Kinë, ai tha se vendet anëtare të këtij blloku – ku përfshihet Kina, Rusia, katër shtete të Azisë Qendrore që kanë qenë në Bashkimi Sovjetik, India dhe Pakistani – janë të shqetësuara mbi këtë lëvizje.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar muajin e kaluar se Uashingtoni tërhiqet nga marrëveshja dhe se do të rivendosen sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.
Putin shtoi se Kremlini do të vazhdojë të respektojë obligimet që dalin nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 në mes të fuqive botërore dhe Iranit.
“Rusia bën thirrje për zbatim strikt të këtij plani. Sa na përket ne, ne do të vazhdojmë t’i zbatojmë obligimet tona”, u shpreh presidenti rus.
Marrëveshja bërthamore i mundëson Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
Vendet e tjera nënshkruese të këtij pakti – Britania, Franca, Rusia dhe Kina – pas vendimit të presidentit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja, kanë thënë se do të qëndrojnë në marrëveshje, për aq kohë sa Irani ta respektojë atë.