Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez se bombardimi i Mariupolit do të marrë fund vetëm kur trupat ukrainase të dorëzohen, sipas një deklaratë të Kremlinit, shkruan BBC.
Por zyrtarët francezë thanë gjithashtu se lideri rus kishte rënë dakord të shqyrtonte planet për evakuimin e civilëve nga qyteti. Zyrtarët nga pallati Elyseé e quajtën situatën në qytet “katastrofike” dhe shtuan se “popullata civile duhet të mbrohet me patjetër dhe të largohen nga qyteti nëse ata dëshirojnë”.
“Ata duhet të kenë akses në ndihma ushqimore, ujë dhe ilaçe“, theksuan zyrtarët francezë.
Franca, së bashku me Turqinë, Greqinë dhe disa grupe humanitare, i kanë paraqitur Putinit një plan për të evakuuar civilët. Sipas burimeve të brendshme të Francës, Putin ka deklaruar se do të mendojë propozimin.