Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të hënën zhvilloi takim trepalësh në Moskë me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, dhe presidentin azer, Ilham Aliyev.
Ky takim u zhvillua dy muaj pasi Rusia ndërmjetësoi për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, e cila iu dha fund luftimeve të ashpra për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Pas takimit, tre liderët lëshuan një deklaratë të përbashkët, me të cilën njoftuan për krijimin e një grupi punues trepalësh, i cili do ta mbikëqyrë zhbllokimin e të gjitha lidhjeve ekonomike dhe të transportit në rajon, shkruan Free Europe.
Ky grup do të përbëhet nga zëvendëskryeminsitrat e tri shteteve, ndërsa takimin e parë do ta zhvillojë më 30 janar, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se ftesa e Putinit për takimin trepalësh është shumë e dobishme dhe produktive, duke shtuar se konflikti për Nagorno-Karabakun mbetet në të kaluarën.
Sidoqoftë, kryeministri armen, Nikol Pashinian, tha se ky konflikt ende nuk është zgjidhur, duke këmbëngulur se çështjet kyçe rreth këtij problemi janë të pezulluara dhe duhet të zgjidhen menjëherë.
“Për fat të keq, ky konflikt ende nuk është zgjidhur”, tha kryeministri Pashinian para gazetarëve pas takimit që zgjati gati katër orë.
Në fillim të takimit, Putini i falënderoi të dy liderët për bashkëpunimin e tyre me Rusinë rreth përpjekjeve për ndërmjetësim, të cilat, sipas tij, kishin për qëllim ndaljen e gjakderdhjes, stabilizimin e gjendjes dhe arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Rusia ka dërguar rreth 2.000 trupa paqeruajtëse përgjatë vijës së frontit në rajonin e kontestuar. Këto trupa po angazhohen edhe në largimin e minave, kthimin e armenëve të zhvendosur dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar nga artileria e rëndë.