Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se mendon se Rusia mund të “bëjë një kontribut në procesin e paqes” në luftën e nisur mes Hamasit dhe Izraelit.
“Epo, pse jo?” tha presidenti rus, i përfshirë edhe vetë në një luftë në Ukrainë. “Ne kemi pasur marrëdhënie biznesi shumë të qëndrueshme me Izraelin – dhe marrëdhënie miqësore me Palestinën për dekada të tëra”, deklaroi ai, raporton Sky News.
Korrespondenti i Lindjes së Mesme për Sky News, Alistair Bunkall, i cili po raporton nga Jerusalemi, shpjegon: “Rusia dhe Izraeli kanë një marrëdhënie të ngushtë strategjike – por një nga arsyet që e keni parë Izraelin të qëndrojë jashtë luftës së Ukrainës është sepse Izraeli ka interesa në bombardimin e objektivave iraniane në Siri dhe Rusia e kontrollon atë hapësirë ajrore”.
Por ai thotë se pavarësisht komenteve të Putinit, nuk ka “asnjë shenjë për një armëpushim në horizont” dhe ideja e presidentit rus si ndërmjetës është “e paimagjinueshme në këtë fazë”.
“Izraelitët nuk janë në disponim për ndërmjetësim”, shton ai.
Ai thotë që ose ShBA ose egjiptianët mund të ndihmojnë me bisedimet ose rrugët e shpëtimit për civilët – por është shumë herët për të thënë këtë.