Për shkak të sulmit të fundit në Ukrainë, shpeshherë kemi prirjen që doktrinën e Putinit ta lidhim vetëm me projeksionet e tij agresive thujase imperiale dhe prirjen e tij për të dhunuar standardet e së drejtës ndërkombëtare duke nëpërkëmbur të drejtën e shteteve sovrane. Por, para se të jetë i tillë, putnizmi është paraprakisht edhe ideologji politike qeverisëse. Është një mendësi që i shkatërron parametrat e demokracisë pluraliste, pa i mohuar rregullat e saj të jashtme.
Pra, praktikisht e rrënon demokracinë, nëpërmjet procedurave të saj. Dhe ky model politik, s’është asgjë tjetër, pos një karikaturë e neveritshme e demokracisë. Sepse, në këtë sistem zgjedhjet formalisht mbahen, por ato janë një inskenim dhe simulim i tyre. Apo siç ka thënë, Stalini, “më e rëndësishme se kush voton, është se kush i numëron votat në kutitë e votimit, pasi të përfundojnë ato”.
Për ta pudrosur edhe më shumë manipulimin, shpeshherë Lideri kryesor zëvendësohet me ndonjë një luajal besnik apo eunuk politik të tij, i cili në të vërtetë ka për obligim, ose ta ruaj pushtetin e ish-Sundimtarit, ose vetëm që të mos e mbaj vendin vakant, deri sa Njëshi Absolut të rikthehet në krye të piramidës së pushtetit.
Ky skenar zakonisht orkestrohet sa për të krijuar përshtypje false se edhe Udhëheqësi i respekton procedurat kushtetuese. Të gjithëve na kujtohen shfaqjet cinike të Putinit me Medvedevin, kur i këmbenin pozitat institucionale shtetërore. E, kjo frymë mjerisht, depërton nëpër të gjithë kapilarët e shoqërisë, nëpër parti politike, shoqëri civile etj,
Fatkeqësisht, sot në shumë vende të botës, me demokraci fragjile, ky model në forma më të zbutura dhe të sofistikuara nuk është që s’është prezent.
Inskenime të tilla kanë ndodhur edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Shumë herë në krye të partive politike të këtyre dy vendeve janë emëruar vetëm kryetar formal. Madje, për të dëshmuar se sa komike ishin këto ndryshime, kishte nga ata që nuk patën guxim as të rikandidonin, kur u riorganizuan zgjedhjet në parti, pasi ata që drejtonin deri atëherë atë nuk shiheshin më si të dobishëm për qëllimet politike të Liderit.
Aktualisht, në Kosovë, jashtë kësaj procedure mandatin e ka fituar vetëm kryetari aktual i LDK-së. Kuptohet, më herët ka pasur edhe të tjerë. Kurse, në Shqipëri, deri më tani në kundërshtim me këtë model putinist, pozitën e të parit të partisë deri më tani, e ka fituar vetëm Edi Rama. Por, ky i fundit se çfarë strategjie do të ndjekë për pasardhësin e tij, sipas asaj që Sali Berisha e pat instaluar me Lulëzim Bashën, apo asaj se si vetë Edi kishte fituar drejtimin e partisë, pasi tërheqjes së Fatos Nano, ku ish-lideri i të majtës nuk la pas vetës ndonjë një kanakar të tij, mbetet të shihet.
Sidoqoftë, fenomene të tilla rregjuese tregojnë se lufta ndaj tundimeve që ngjall ideologjia qeverisëse e putinizmit duhet të zhvillohet në çdo celulë të shoqërisë. Sepse, vetëm në këtë mënyrë demokracitë mund të lulëzojnë në mënyrë të sigurt dhe të çlirohen nga kthetrat e kësaj antiteze të tyre në çdo cep të planetit.